Ismajli: Mustafa kërkoi të mbahet takimi

Fadil Ismaili thotë se LDK e AKR kanë ngjashmëri në programin partiak. Sipas tij, takim i djeshëm me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, nuk nënkupton se do të ketë koalicion mes dy partive. 

Lajme

13/05/2014 18:57

Nënkryetari i AKR-së, Fadil Ismajli, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, thotë se gjatë këtij takimi, është vërejtur se AKR dhe LDK kanë ngjajshmëri programore sa i përket zhvillimit ekonomik.

Në një intervistë për emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës, Ismajli tha se takimin e djeshëm e ka kërkuar kreu i LDK-së, Mustafa dhe Pacolli vetëm e ka mirëpritur atë.

“Jo Presidenti Pacolli nuk e ka organizuar këtë takim, por ata që kanë ardhur. Ne e kemi mirëpritur takimin”.

“Në të gjitha takimet në rend të parë, është kërkesë e AKR-së, kërkohet të shihet se cili është orientimi i partisë në aspektin e zhvillimit të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”.

“Në rend të parë konsiston programi zhvillimor, por kjo nuk do të thotë se ne po bëjmë koalicione tash por se do të na ndihmojë në të ardhmen eventualisht nëse nuk do të jemi partia e parë, do të duhet të zgjedhim dikë të koalicion. Atëherë, në rend të parë do të jetë çështja e kompatiblitetit program sidomos në segmentin e ekonomisë”.

“Të tjerët janë ata që po kërkojnë koalicione. AKR do të shkojë e vetme në zgjedhje, e vetme jo vetëm në aspektin e eliminimit të partive të mëdha por edhe të partive të tjera të vogla. Ne ndihemi shumë komod teksa po hyjmë në këto zgjedhje”.

“Me përfaqësuesit e LDK-së pati biseda interesante. Është e vërtetë se kishte një ngjashmëri dhe një qasje shumë të përafërt në aspektin e zhvillimit ekonomik, dhe për projekte të cilat na presin ne”.

“Krejt kjo pse jo në një të ardhme mund të rezultojë edhe në koalicion”.

Ismajli nuk pranoi ta quante takimin e djeshëm si tentim joshje nga Mustafa për një koalicion me AKR-në. Ai tha se oferta të tilla, AKR ka pasur dhe nga parti të tjera.

“Nuk do e kisha quajtur kështu. Normalisht ka pasur oferta për koalicion edhe prej të tjerëve. AKR-ja do ta tregoj vetveten në këto zgjedhje dhe jam i bindur se do të jetë befasia më e këndshme në zgjedhjet qendrore ashtu siç ishte në zgjedhjet lokale.”

“Nga ajo që është prezantuar, nga ajo pjesë e programit të LDK, mund të vërehen elemente të ngjashme. Normalisht kemi kërkuar që të ketë qasje të ngjashme në projekte të mëdha, siç janë projekte në energjetikë, në miniera dhe minerale”, tha Fadil Ismajli për Klan Kosova.