Ismaili: Takimi me Hale duket i rëndë për ata që janë kundër kërkesave të SHBA-ve

David Hale, Zëvendëssekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Politike, vizitoi këtë të shtunë Kosovën me një mision të qartë: zhbllokimin e situatës së krijuar me taksën, e cila po ndërlikon jo vetëm Dialogun, por po rrezikon edhe raportet SHBA-Kosovë dhe interesat e të dyja vendeve.

Lajme

10/03/2019 17:21

Hale, në një takim të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, ka kërkuar suspendimin e taksës dhe lëvizjen përpara për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se SHBA e sheh këtë si një momentum të duhur.

Ndërkohë, mediat kanë raportuar se ky takim, i mbajtur në Rezidencën e Ambasadorit Amerikan, Philip Kosnett, ka qenë i rëndë, pasi që Haradinaj nuk ka pranuar as kësaj radhe t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës amerikane, ndërkohë që Thaçi dhe Veseli janë pozicionuar përkrah SHBA-ve.

Këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi, duke komentuar raportimet për konfrontimet e liderëve përballë zyrtarëve amerikanë, ka thënë se ato nuk i shërbejnë zgjidhjes së kësaj situate dhe i bëjnë dëm Kosovës.

I pyetur nëse ky takim i Hale me liderët kosovarë ka qenë i rëndë, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se nuk e di nëse ka qenë i tillë.

Por, ka shtuar se ka mundësi që është dukur i tillë për këshilltarët e kryeministrit, për një tjetër arsye.

“Takimi mund të konsiderohet i vështirë nga vartësit e Kryeministrit, sepse janë në një pozicion të kundërt me kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Ismaili për Gazetën Metro.

“Nëse ka qenë takim i vështirë, nuk është lajm i mirë për Kosovën. Takimet me administratën e SHBA-ve, si aleati ynë kryesor në arritjen e lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës, gjithmonë kanë qenë të mirëseardhura. Kjo është hera e parë që takimet tona me zyrtarët amerikanë po konsiderohen të rënda dhe ky vërtet është lajm i keq”, ka shtuar ai.

Zyrtarë të shumtë amerikanë, përfshirë Presidentin Doland Trump, insistojnë në suspendimin e përkohshëm të taksës dhe fillimin e procesit për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë edhe si një interes të tyre strategjik në Ballkan.

E gjetur përpara një situate kur kredibiliteti i saj po vihet në pikëpyetje, SHBA thuhet se nuk do të ketë durim të pakufishëm dhe kërkon që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë.

“Mendojmë se Kosova ndodhet para një hapi kritik që ka të bëjë me një të ardhme me më shumë mirëqenie. Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe e dobishme mes Serbisë dhe Kosovës është rruga për ta arritur këtë të ardhme, me zotimin për njohje reciproke në thelb të saj”, ka thënë David Hale për mediat kosovare, pas takimit.

Ai, po ashtu, ka rikujtuar se Presidenti Trump ua ka dërguar një letër udhëheqësve kosovarë dhe ka kërkuar nga ta që të flasin me një zë.