Ismaili, PDK: E turpshme fyerja që Mimoza Kusari-Lila e VV-së u bëri sot veteranëve të UÇK-sē

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës e ka cikësuar të turpshme deklaratën e sotme të Shefës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila e cila në një konferencë për media tha se i ka thënë përfaqësuesit të Listës Serbe se a do të dalin edhe ata në protestën e ardhshme të veteranëve të UÇK-së.

Lajme

14/06/2022 17:47

Ismaili tha se shefja e deputetëve të Vetëvendosjes sot ka kaluar çdo kufi me deklaratat e saj.

“Një votim i padrejtë sot ka pamundësuar një mbështetje – sado të vogël – për veteranët e UÇK-së. Dhe kjo padrejtësi u përcoll edhe me një ofendim skandaloz nga Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila – e cila, në një konferencë për media, ofendoi të gjithë veteranët, që ditë më parë kishin dalë në protestë për ta kundërshtuar përpjekjen e Qeverisë nga përjashtimi i tyre në ngritjen e pagës minimale. Zonja Kusari tha se e kishte pyetur përfaqësuesin e Listës Serbe se “nëse do të ketë protesta për Projektligjin, a do të jeni edhe ju pjesë e protestave”, duke aluduar kështu në protestën që kishin thirrur shoqatat e dala nga lufta. E pabesueshme! Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së sot kaloi çdo kufi.”, tha Ismaili.

Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Uran Ismaili tha se ta barazosh aktivitetin e veteranit të UÇK-së me aktivitetin politik të përfaqësusit të Listës Serbe është edhe një hap më shumë në degradimin e vlerave tona shtetërore e kombëtare.

“Kërkim-falja nga Zonja Kusari dhe një distancim nga Kryeministri Kurti është më e vogla gjë që duhet të ndodhë menjëherë, sot. Veterani i UÇK-së u la pa mbështetje. Por, fyerjen dhe barazimin me Listën Serbe nuk ia kishte borxh.”, tha Ismaili. /Lajmi.net/