Islami radikal është i importuar në Kosovë

Islami radikal nuk është traditë e Kosovës, është e importuar nga jashtë. Kështu mendon Ambasadorja e Amerikës, Tracey Ann Jocobson, e cila gjatë debatit të organizuar nga Lëvizja FOL tha se Kosova ka një traditë të vjetër të tolerancës fetare.

Lajme

06/11/2014 13:53

Jacobson tha se Kosova duhet përgëzuar për përpjekjet e saj për tu marrë me cështjen e ekstremizmit fetar.

“Kosova ka një përparësi shumë të madhe kur bije fjala tek toleranca fetare e cila ka të bëjë me historinë e gjatë të tolerancës fetare, meqenëse njerëzit e feve të ndryshme kanë jetuar së bashku”.

“Fare nuk më pëlqen fjala tolerancë, sepse në njëfarë mënyre do të thotë se përballesh me diçka që nuk të pëlqen. Më shumë do ta përdorja termin respektim i diverzitetit”.

“Kosova ka bërë shumë përpjekje për të ndërtuar dialogun ndërfetar duke përfshirë edhe organizimin e disa konferencave”.

“Kosova është shtet multietnik, ka traditë të gjatë të islamit, të krishterimit dhe të ortodoksizmit. Është një përzierje e ndërlikuar por shpresoj se duke ecur përpara do të kemi më shumë përkrahje për organizatat religjioze për shembull, siç është ligji i cili iu lejon regjistrimin si organizata religjioze”.

“Kosova duhet përgëzuar. Për këtë ka marr lavdata nga qeveria amerikane dhe shumë qeveri të tjera, që janë marr me çështjen e ekstremizmit fetar me shumë seriozitet, sepse kjo frymë e islamit radikal nuk është pjesë e islamit në Kosovë. Ajo është sjellë nga diku tjetër, është importuar”.

Duke folur për shkuarjen e të rinjve kosovarë në luftërat e huaja, si në Siri dhe Irak, Jacobson tha se qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse që të kuptojë se pse po ndodh ky fenomen.

Ajo gjithashtu përgëzoi edhe veprimet e organeve të rendit, të cilët kanë filluar hetimet për të gjithë ata persona të përfshirë në rekrutimin e të rinjve, por shtoi se edhe shoqëria duhet të reagojë dhe të hap debat për të parë se pse të rinjtë po tërhiqen nga kjo ideologji.

“Mendoj se është e tmerrshme që të rinjtë po tërhiqen nga kjo ideologji, të cilët po i detyron ata që t’i lënë familjet dhe të shkojnë të luftojnë krah për krah me grupe të cilat dihet që janë terroriste”.

“Më vjen shumë mirë që Kosova fuqishëm është duke hetuar të gjithë ata që janë përgjegjës për rekrutimin e njerëzve që shkojnë më pas të luftojnë në këto lloj konfliktesh”.

“Lufta kundër shkuarjes në luftëra të huaja nuk është luftë vetëm e qeverisë, por është e reagimit të të gjithë shoqërisë sepse duhet të gjithë të reagojnë se përse njerëzit po tërhiqen nga kjo ideologji dhe qeveria duhet t’i kuptojë këto arsye dhe të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse”, tha Jacobson.