ISIS sërish kërcënon, paralajmëron sulme në Londër dhe New York

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump kanë paralajmëruar se të ashtuquajturit Shteti Isamik po i vjen fundi, terroristë të kësaj organizate vijojnë të kërcënojnë me sulme të reja në qytetet më të rëndësishme të botës.

Bota

22/05/2019 22:39

ISIS ka shpërndarë së fundmi tre posterë që nxisin akte terroriste në Londër dhe në New York. Njëri prej posterëve përshkruan një bombardues vetëvrasës që qëndron përballë Big Ben-it në flakë dhe nën të ka edhe një paralajmërim: Sulmet në Londër vijnë së shpejti.

Posteri tjetër tregon një terrorist të maskuar, i cili mban në dorë një thikë mbi qytetin e New Yorkut, ndërsa u bën thirrje ekstremistëve që të bëhen bashkë: “Vetëm terrori mund t’i luftojë ata”.

Grupet e lidhura me ISIS kanë lëshuar më herët postera propagandues që përkrahin sulmet terroriste që ndodhën në Sri Lanka në të dielën e Pashkëve. Imazhet treguan tetë sulmuesit mbi Donald Trump, Papa Françesku dhe Budën në zjarr. ISIS mori përgjegjësinë për Sri Lankën ku u vranë 250 vetë në kisha e hotele.

Mediet ndërkombëtare i kanë kushtuar një vëmendje të madhe këtyre kërcënimeve, duke thënë se vijnë edhe si kundërpërgjigje e ISIS ndaj deklaratave triumfuese të presidentit Trump./GazetaDita