ISIS-it i digjet flamuri në Kobane (Foto&Video)

Sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër terroristëve të “Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë” (ISIS) janë përqendruar në Kobani, qytetin sirian të populluar me kurdë.

Bota

24/10/2014 13:08

BBC njofton se përkundër rënies së intensitetit të luftimeve në mes të militantëve të ISIS-it dhe mbrojtësve të qytetit, luftëtarëve kurdë, sulmet ajrore kanë vazhduar edhe gjatë natës.

Kësaj radhe përveç caqeve tjera, në shënjestër ishte edhe flamuri i “Shtetit Islamik” që valëvitej mbi majën strategjike të Kobanit, që prej një muaji, kur filloi beteja për qytetin.

Të paktën një militantë është djegur nga shpërthimi, ndërsa disa të tjerët janë parë duke u përpjekur të ikin nga shtëllungat e tymit që pasuan, raporton BBC, transmeton lajmi.net.  

Nga qyteti dhe rrethina e tij brenda një muaji janë larguar drejtë Turqisë rreth 160 mijë refugjatë kurdë, ndërsa 20 mijë të tjerë vazhdojnë të jenë të rrezikuar nga militantët e ISIS-it, të cilët megjithëse janë tërhequr nga pozicionet e tyre brenda qytetit, vazhdojnë të mbajnë të rrethuar periferinë e tij.

Kobani, 200 metra larg kufirit me Turqinë, mbetet një nga pikat strategjike për “Shtetin Islamik”, edhe pse që kur kanë filluar sulmet ajrore amerikane para një muaji, janë vrarë mbi 500 militantë.

Turqia, përkundër premtimeve që kishte bërë se nuk do të lejojë rënien e qytetit në duart e militantëve të ISIS-it, vazhdon t’i mbajë tanket të ndalura në kufi, që sipas analistëve është politikë zyrtare e qeverisë turke që ka si qëllim dobësimin e kurdëve sirianë.

Ndryshe një fitore e kurdëve në Kobani, sipas BBC-së, do të forconte ndjenjat e 18 milionë kurdëve të Turqisë (shifër jozyrtare), të cilët përmes protestave vazhdojnë të shprehur mllefin e tyre ndaj politikës zyrtare turke dhe heshtjes përballë krimeve të “Shtetit Islamik”.