Ishte kërkesë e SHBA’së për Shqipërinë

Ambasadori Amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, thotë se SHBA i ka kërkuar Shqipërisë nëse është ose jo e gatshme për të ndihmuar në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.

Lajme

14/11/2013 22:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë një përgjigje, nëse është e gatshme të ndihmojë në shkatërrimin e armëve kimike siriane, duke u përfshirë në listën e vendeve që do të pranonin një gjë të tillë.

Ambasadori Amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, në një intervistë për Top Story, në Top Channel, e ka pohuar një gjë të tillë.

“Po e kemi bërë.”

“U jemi qasur disa prej vendeve, për të parë nëse do të ishin të gatshëm dhe në pozitë për të ndihmuar në shkatërrimin e këtyre armëve në përputhje me Rezolutën 2118 të Këshillit të Sigurimit dhe në bazë të marrëveshjes SHBA-Rusi që do të bëhej nën patronazhin e Organizatës së Parandalimit të Armëve Kimike.”

I pyetur se cila ka qenë përgjigja e Kryeministrit Edi Rama lidhur me këtë çështje, Arvizu ka deklaruar se ai e ka kuptuar problemin.

“Përgjigjja e Ramës ka qenë pozitive, në kuptimin që kuptoi kompleksitetin e problemit, për faktin që ky është një problem i ndërlikuar ndërkombëtar.”

“Ai ka treguar gatishmërinë për të parë pozitivisht atë që Shqipëria mund të bënte për të kontribuar në një zgjidhje dhe vendimi është i mirëpritur nga SHBA.”

Arvizu ka pohuar se nëse do të merrej ky operacion, Shqipëria do të ishte më e pastër dhe më e sigurt.

Ai tha se kjo nuk do ta kthente Shqipërinë në një kosh plehrash, por do të ndodhte e kundërta.

Gjatë ditës së premte, pritet të merret vendimi përfundimtar për vendin ku do të demontohen armët kimike të Sirisë. Qeveria e Shqipërisë nesër ta bëjë të qartë vendimin e saj.

I pyetur nëse do të ketë një kosto Kryeministri Rama dhe Qeveria e tij, në rast të refuzimit, Ambasadori Amerikan, Alexander Arvizu, ka thënë se SHBA do të ishte e zhgënjyer.

Nuk do të doja të keqinterpretohesha. Është zhgënjyese për SHBA. Ne kemi kontribuar shumë kohë dhe energji dhe ndihmën, për siguritë dhe sigurimin, sigurimin e ekspertizës më të mirë, për të kryer këtë operacion. Kam folur tre herë sot me të dhe sigurisht ky është një vendim i vështirë, por që duhet marrë dhe ne do ta respektojmë atë.”