Ishte dënuar dy herë nga Gjykata në Mitrovicë për vjedhje votash, ish-këshilltari i Pecit shihet duke festuar me të pas fitores në Mitrovicë

Ish-këshilltari i kandidatit për kryetar të Mitrovicës nga VV, Faton Pecit, Enis Osmani ishte dënuar dy herë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, dhe dënimet e tij kishin ardhur për shkak të vjedhjes së votave. Në rastin e parë Osmani ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit…

Lajme

12/11/2025 08:47

Ish-këshilltari i kandidatit për kryetar të Mitrovicës nga VV, Faton Pecit, Enis Osmani ishte dënuar dy herë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, dhe dënimet e tij kishin ardhur për shkak të vjedhjes së votave.

Në rastin e parë Osmani ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro.

Kurse në rastin e dytë Osmani dënohet me burgim me kusht prej 1 viti për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019.

Ai e kishte pranuar fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimeve në zgjedhjet e vitit 2017, në një qendër votimi në fshatin Bare të Mitrovicës.

Osmani kishte deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, duke shtuar se ka mundur të ndodhë për shkak të neglizhencës dhe lodhjes pasi të njëjtën ditë ka punuar rreth 27 orë.

“Ndoshta ka qenë puna që iu kam besuar më shumë se që duhet anëtarëve të komisionit, më vjen keq për këtë që ka ndodhur, premtoj se nuk do ta përsëris asnjëherë”, deklaronte Osmani atëkohë.

Por, ndonëse ai nuk është më këshilltar i Pecit, ai duket se vazhdon të jetë krah tij.

Në një video që vetë Osmani kishte publikuar në rrjetin social Facebook, pasi KQZ ka publikuar rezultatet preliminare të balotazhit në Mitrovicë, Peci shihet duke festuar e kënduar pranë tij.

Në Mitrovicën e Jugut, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, diferenca e votave mes të parit (Faton Pecit) dhe të dytit (Arian Tahirit), është e lartë. 53,47% ka marrë Faton Peci, ndërsa 46,53% ka marrë Arian Tahiri.

Por, gjatë procesit të verifikimit të votave në QKN, kanë dal disa probleme të cilat po ngritin dyshime për vjedhje votash. Aty janë gjetur fletëvotime me numra serikë të cilët nuk i përkasin atij vendvotimi, e gjithashtu edhe pa numra serikë fare.

Për shkak të kësaj situate, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, të hënën ka ndërprerë procesin e verifikimit të votave, ndërsa dje e ka urdhëruar rifillimin e këtij procesi, pas reagimit nga kompania “Cetis” e cila ka shtypur këto fletëvotime dhe ka thënë se ka qenë gabim teknik.

Përderisa nga LVV në vazhdimësi kanë reaguar ashpër duke akuzuar PDK-në se po gënjejnë dhe se nuk ka vjedhje votash. PDK dje ka kërkuar rivotim në këtë Komunë.

Sipas PDK-së, edhe nëse ky gabim ka qenë teknik, ai duhet të sanohet dhe mënyra e vetme për ta sanuar atë është duke dërguar këtë Komunë në rivotim. /Lajmi.net/