Ish të dënuar politikë e deputetë të PD përleshen me policinë
Një përplasje e ashpër fizike ndodhi mes deputetëve demokratë, ish të dënuarve politikë dhe efektivëve të policisë shqiptare të mërkurën në mesditë, rreth orës 13:20 minuta, pranë selisë së ish të përndjekurve politikë.
Lajme
Policia tentoi të ndalojë nisjen e grevës së urisë nën pretendimin se nuk ka leje zyrtare. Kurse ish të dënuar politikë thanë se kanë leje nga Bashkia e Tiranës dhe një kërkesë që kanë dërguar në Policinë e Shtetit.
Deputetët e PD, Flamur Noka, Gert Bogdani, Aldo Bumçi kanë qenë prezent në momentet që një përfaqësi nga ish të përndjekurit dhe të dënuar politikë po tentonte të fuste materiale në grevën e urisë që kanë bërë thirrje se do e nisin sot. Forca policie nuk kane lejuar futjen e materialeve (çadra, batanije, susta) dhe kanë debatuar dhe më pas janë përleshur me ish të përndjekurit politikë dhe deputetët e PD.
“Ne jemi këtu të mbështesim këtë grevë urie të ish të përndjekurve politikë. Nuk është grevë politike, ne vetëm sa i mbështesim ish të përndjekurit politikë”, u shpreh deputeti Bumçi, ndçrsa situata u qetësua disi.
Situata u qetësua pas rreth 15 minutave dhe ish të përndjekurit politikë nisën ngritjen e çadrave për të hyrë kështu në një grevë urie pa afat.