Takimi pas protestës, u dha shpresë ish punëtorëve të Fabrikës së Tubave

Edhe sipas anëtarit tjetër të shoqatës Sindikale të Fabrikës së Tubave, Ali Shabani, kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi, premtoi se do të punohet seriozisht në çështjen e pagesës së borxhit ndaj ish-punëtorëve të kësaj fabrike.

Lajme

04/02/2016 16:31

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, protestuan para AKP-së, ku kërkuan që të zbatohet vendimi për shpërndarjen e 20 përqindëshit, që u takon nga privatizimi i ish fabrikës së tyre.

Anëtari i kryesisë së Shoqatës Sindikale të kësaj fabrike, Imri Sadiku, i cili ishte pjesë e delegacionit , u takua me kryetarin e Bordit të AKP-së, Petrit Gashin, raporton lajmi.net.

Ai pas takimit  tha se Gashi është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar, por  nuk e kishte njoftuar në detaje me rastin e Fabrikës së Tubave.

“Sot e patëm një takim me kryetarin e bordit, Petrit Gashin dhe stafin e tij. Na premtoi se do të punojë gjithçka që është norma ligjore. Sipas meje kryetari nuk ishte i njoftuar në detaje me rastin tonë, pasi ia ka filluar rishtas punën, por shprehu një gatishmëri me qenë në kontakt të rregullt me ne dhe kështu po kemi shpresë se kryetari i ri do t’i kuptojë hallet tona dhe do t’i zbatojë vendimet e gjykatave që kanë vendosur në favorin tonë”, tha Sadiku, raporton lajmi.net.

Edhe sipas anëtarit tjetër të shoqatës Sindikale të Fabrikës së Tubave, Ali Shabani, kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi, premtoi se do të punohet seriozisht në çështjen e pagesës së borxhit ndaj ish-punëtorëve të kësaj fabrike.

Në lidhje me grevën e ish-punëtorëve , e cila ende po vazhdon, Shabani tha se janë pesë grevistë të cilët sipas tij janë shkëputur nga shoqata Sindikale e fabrikës dhe nuk e përfaqësojnë këtë sindikatë.

“Me keqardhje mund të them se këta janë nja pesë persona që janë shkëputur prej Shoqatës Sindikale, nuk e përfaqësojnë Shoqatën Sindikale. Me keqardhje them se ne nuk jemi duke u marrë me ta sepse edhe të hënën e kaluar kur e morëm vendimin për me ardhur në protestë, tre veta ishin kundër, ndërsa se 300 deri në 400 punëtorë erdhën këtu në protestë”, tha ai, raporton lajmi.net.

Sipas Ali Shabanit, ata i kanë interesat e veta dhe nuk  u  përzihet.

”Secili qytetar ka të drejtë të protestojë dhe mbajë grevë, por greva ligjërisht si është paraparë me ligj, ne e kemi suspenduar, e kemi njoftuar Policinë, Qeverinë AKP-në dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sepse ligji për greva kështu e parasheh”, tha Ali Shabani.

Pas takimit të përfaqësuesve të ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj me kryetarin e Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, protestuesit u shpërndan të qetë./lajmi.net