Ish-ministri serb kërkon që të mos trajtohen në spitalet e Beogradit kosovarët që vuajnë nga kanceri

Ish-ministri serb i ekonomisë, Dragan Marshiqanin, ka kërkuar që asnjë kosovar që vuan nga kanceri të mos trajtohet në spitalet e Beogradit.

Lajme

24/02/2019 23:23

Ish-ministri serb i ekonomisë, Dragan Marshiqanin, ka propozuar që asnjë kosovar, i cili vuan nga kanceri, të mos trajtohet në spitalet e Beogradit, transmeton lajmi.net.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social ‘Twitter’, i ka bërë këto deklarata, rrjedhimisht duke shkaktuar edhe shumë reagime kundër tij.

Marshiqanin thotë se këtë e ka mbështetur në faktin se një numër i konsiderueshëm i kosovarëve trajtohen në spitalet e Beogradit për sëmundje të kancerit.

“Quajeni ç’njerëzore, të pashpirt, por unë do të ndaloja që kosovarët që vuajnë nga kanceri të mos trajtohen në Beograd. Urdhëroj që shqiptarët të trajtoheshin në vendet e NATO-s, pasi që ata i mbuluan me uranium të varfëruar edhe serbët”, ka shkruar në Twitter Marshiqanin, transmeton më tutje lajmi.net.

Një deklarim i tillë ngjalli reagime në rrjetin e popullarizuar social.

Madje, një përdorues i ka thënë ish-ministri serb se kjo deklaratë është ç’njerëzore dhe e turpshme, pasi që sipas tij, asnjë vend i NATO-s nuk ua ndalon serbëve trajtimin për gjendje të tilla shëndetësore.

“Asnjëherë nuk kam dëgjuar që dikush të ketë refuzuar të shërojë dikë kudo në botë. A nuk trajtohen njerëzit tanë (serbët) kudo në botë, duke përfshirë vendet anëtare të NATO-s ?? !! Çnjerëzore. Dhe nga serbët ka të mirë dhe të këqij, dhe shqiptar po ashtu. Shumë ksenofobike. E turpshme!”, ishte kundërpërgjigja e një nga përdoruesit e Twitter.

Një përdorues tjetër ka sugjeruar që Marshiqanin t’i ndalohet përdorimi i Twitter, pasi që sipas tij ky rrjet social është “produkt origjinal amerikan”. /Lajmi.net/