Ish-luftëtarët e Pashtrikut thonë se shumë “veteranë” nuk i njohin fare

Kanë reaguar sërish luftëtarët e Zonës së Pashtrikut, të cilët megjithëse ishin pjesë e luftës çlirimtare, nuk po e gjejnë veten në listat e veteranëve.

Lajme

14/03/2015 19:16

Komandanti i Brigadës 124 të Zonës së Pashtrikut, Ismet Tara, gjatë një takimi me ish-ushtarë të kësaj zone, fajin për këtë e ka adresuar direkt te komisioni qeveritar, raporton KTV.

Tara ka lexuar edhe një listë me emra, në të cilën janë përfshirë individë që vetë rahovecianët nuk kishin dëgjuar për ta, të kenë marrë pjesë në luftë.

Mllefin këta luftëtarë e shprehën edhe ndaj kreut të veteranëve të UÇK-së në Rahovec, Vajedin Berisha, të cilit i bënë thirrje që edhe ai të distancohet dhe të mos e pranojë statusin e veteranit, deri sa në lista të futen meritorët.

Ish-ushtarët rahovecianë kërkuan që të riformulohet lista, të filtrohet ajo, ndërkaq ankesën paralajmëruan se do ta bëjnë në komisionin qeveritar. Nëse nuk realizohet kjo, ata kanë paralajmëruar masa, duke mos i përjashtuar grevat dhe protestat.