Ish drejtuesit e Prishtinës nga LDK s’kanë përgjigje për akuzat e AAK-së

Zyrtarët e LDK-së që kanë mbajtur poste udhëheqëse në Prishtinë si Isa Mustafa, Ismet Beqiri, Avdullah Hoti, Sami Hamiti e Vlora Dumoshi nuk u janë përgjigjur akuzave të AAK-së se pushteti i tyre në Prishtinë ishte më i keq se ai i Hashim Thaçit në qeverinë qendrore.

Lajme

16/11/2014 16:26

Edhe pse Express ka tentuar të marrë nga një qëndrim të tyre lidhur me akuzat e AAK-së, ata nuk kanë dashur të flasin për këtë temë.

E vetmja që ka hapur telefonin është ish-drejtoresha e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila ka thënë se nuk mund të flas pasi është e zënë me një rast familjar.

Ndryshe, Isa Mustafa ka udhëhequr me Komunën e Prishtinës në dy mandatet e fundit ndërsa para tij kryeqyteti drejtohej nga Ismet Beqiri.

Vitin e kaluar, LDK, e humbi pushtetin në Prishtinë duke kandiduar me kryetarin e partisë. Kjo ishte humbja e dytë e Isa Mustafës brenda një periudhe gjashtëmujore, kur ai humbi edhe zgjedhjet nacionale.

Raportet mes AAK-së dhe LDK-së janë ftohur prej momentit kur Ramush Haradinaj i pati kërkuar Fatmir Sejdiut prishjen e koalicionit me PDK-në, kërkesë kjo që nuk ishte përfillur nga LDK-ja. Ndërsa së fundmi ato kanë filluar të marrin tatëpjetën, pasi LDK po kërkon postin e kryeministrit, i cili i ishte besuar Haradinajt, me rastin e arritjes së marrëveshjes LAN. 

Edhe në zgjedhjet e fundit, Isa Mustafa ka marrë akuza të rënda nga AAK’ja, duke filluar prej atyre se kishte qenë shërbëtor i Rrahman Morinës e deri te dështimi në udhëheqjen e Prishtinës.