Ish drejtori: S’duhet t’i frikohemi përballjes ligjore për Trepçën, Serbia falsifikoi dokumentet

Për ish drejtorin e Trepçës, Nazmi Mikullovci, pretendimet e Serbisë për Trepçën janë të pabaza, sepse ajo i ka falsifikuar dokumentet dhe në të kaluarën kur menaxhonte me këtë gjigant ka marrë vendime antiligjore. Ai për qeverinë e Kosovës, ka një sugjerim që të mos i frikohet përballjes ligjore për Trepçën, sepse sipas tij, aksionarët e pretenduar nuk ekzistojnë. Sipas tij, nëse Trepça shkon në likuidim, atëherë ajo do të shitej për hekur!

Lajme

19/01/2015 15:29

Për ish drejtorin e Trepçës, Nazmi Mikullovci, problemi i këtij gjiganti ekonomik të vendit ka ardhur në një pikë kritike, dhe kjo për faj të neglizhencës, dhe mos marrjes asnjëherë me seriozitet të këtij problemi deri më sot.

Ai në një bisedë për lajmi.net, thotë se Trepça ishte ngulfatur në momentin kur ishte lënë nën menaxhim të AKP-së, e cila sipas tij, nuk kishte mundësi ligjore e as profesionale që të ndërmerrte diçka për riorganizuar atë.

“Në gjendjen në të cilën ndodhet sot Trepça, koha nuk po punon për të, por dita ditës ajo po vjen në kohë edhe më të keqe. Prandaj vendimi i ri për të shtyrë edhe për rreth 18 muaj menaxhimin e Trepçës nga AKP, do ta sjellë atë në gjendje, që të mos mund të bëhet diçka më me të, sepse do të shkatërrohen edhe ato pak asete të cilat kanë mbetur”.

Mikullovci thotë të jetë i bindur se problemi i ndarjes së Kosovës në dy pjesë, është bërë shkaku i Trepçës, që ajo të mbahet peng.

Ai tregon se deri në vitin 2005, Trepça nuk ka qenë e regjistruar as si ndërmarrje shoqërore, por nga UNMIK-u është trajtuar vetëm si një grumbull problemesh, me arsyetimin se ajo është një kompani private, respektivisht aksionare, me aksionarë prej Serbisë.

“Tek pas vitit 2005, pas një studimi të përgatitur nga UNMIK-u, me ndihmën e ekspertëve është vërtetuar se problemi i Trepçës ka qenë i pabazë, dhe në kundërshtim edhe me vetë ligjet e Serbisë. Pas përgatitjes së këtij dokumentacioni, Trepça u regjistrua si ndërmarrje shoqërore nën administrimin e AKM-së. Dhe pas pavarësisë në vitin 2008, qeveria e Kosovës, në vend se të fillojë me projekte zhvillimore për Trepçën, nxirret ligji për AKP-në dhe ajo futet nën administrimin e saj.

Pretendimet e Serbisë ndaj Trepçës 

Ish drejtori Mikullovci tregon se në bazë të dokumentacionit shihet qartë se Serbia qysh prej viteve të 90-ta i ka pasur pretendimet e qarta në raport me Trepçën. Ajo sipas tij, ka vepruar në atë formë që në rast se do ta humbiste Kosovën, atëherë Trepçën dhe disa kapacitete tjera të rëndësishme t’i kishte në dorë të saj. “Dmth atë që nuk mund ta bëjë me forcë, ta bëjë përmes dokumentacionit, shumica e të cilave janë të falsifikuara”.

Mikollovci në mënyrë kronologjike tregon se si Serbia ka kishte ndërmarrë veprime për ta pasru Trepçën në dorë

“Fillimisht në vitet 90-të, Serbia sjellë masat e dhunshme në Trepçë dhe me këtë, më nuk vlejnë ligjet ekonomike të ish Jugosllavisë, por vendimet e Kuvendit të Serbisë. Me këtë rast Serbia e ndërron pronësinë e Trepçës, ku rreth 30 mbetet pronë shoqërore, ndërsa pjesa tjetër bëhet pronë aksionare, e aksionarëve prej Serbisë. Dhe tani ajo thirret në atë vendim të atëhershëm i cili nuk ka kurrfarë baze juridike.

Ai përmend tri arsye pse vendimi i atëherëshëm ishte i pabazë.

“1. Në ligjin e Serbisë, shkruan se minierat nuk mund të privatizohen sipas atij ligji në bazë të të cilit është privatizuar Trepça por duhet të ekzistojë një ligj i veçantë; 2. Borxhet nuk mund të kthehen në aksione. Ndërsa në rastin tonë, Serbia borxhet e pretenduara të Trepçës i ka kthyer në aksione; dhe 3. Ndërrimi i aksioneve nuk mund të bëhet pa u bërë publik aksionarët. Në këtë rast aksionarët nuk janë bërë publik. Sipas të tri këtyre pikave kyçe, del se Trepça nuk ka kryer shpronësim”.

Në bazë të kësaj, Mikullovci thotë se Kosovën nuk duhet ta frikësojë ballafaqimi ligjor, sepse Serbia nuk ka kurrëfarë të drejte të bazuar ligjore.

Ndërsa edhe për borxhet e pretenduara të Trepçës prej rreth 1.4 miliardë eurove, Mikullovci thotë se ato janë të paqëndrueshme, dhe mund të jenë paraqitur përmes dokumentacionit të falsifikuar.

“Sa i përket borxheve të Trepçës, në kohën e UNMIK-ut ishte bërë një përllogaritje, dhe ato janë sjellë rreth 250 milion euro. 50 milion borxhe të brendshme, ndaj kompanive të huaja, dhe 200 milion borxhe ndaj kompanive të Serbisë, e jo siç pretendohet sot për rreth 1.4 miliard euro”.

Por për këtë gjendje të borxheve të paraqitura tani, Mikullovci fajëson edhe AKP-në.

“Në kohën e moratoriumit në Trepçë, AKP kishte bërë një shpallje publike ndërkombëtare, ku kërkonte që të paraqiteshin pretenduesit ndaj të cilëve Trepça mund të kishte borxhe. Ky afat ishte deri në muajin shkurt të vitit 2013. Por më vonë AKP në kundërshtim me ligjin, e shtynë afatin gati për një vit, deri në nëntor të vitit 2014, me arsyetimin se nuk ishin paraqitur shumë pretendues për borxhe që Trepça mund t’u kishte atyre. E gjatë kësaj kohe ka mundur të ndodhin shumë gjëra, duke falsifikuar dokumente dhe gjëra tjera, ku tani po flitet për një shumë të borxheve që në realitet janë totalisht të pakuptimta”.

Nëse nuk ndërmerret diçka Trepça do të shitet për hekur 

Nëse asgjë nuk ndërmerret deri më 2 shkurt, Mikullovci thotë se atëherë do të fillojë procesi i likuidimit të Trepçës, sepse AKP-ja për dy vite nuk ka qenë në gjendje t’i kryejë ato procese të cilat kanë qenë të parapara me ligj. “AKP, nuk e ka përgatitur planin e riorganizimit, dhe automatikisht Trepça shkon në likuidim. E në këtë rast zgjidhja do të duhej të ishte që Trepça të shndërrohej në ndërmarrje publike, dhe qeveria të formonte një grup profesional i cili do të bënte riorganizimin. Mirëpo tani siç duket pas reagimit të Serbisë, dhe intervenimit të ndërkombëtarëve, hiqet dorë prej asaj që Trepça të shpallet ndërmarrje publike, dhe vazhdon në agonin se siç edhe ka qenë”. 

Ndësa nëse ndodhë likuidimi, gjiganti ekonomik i Kosovës, do të shitej për hekur.

“Nëse do të ndodhte likuidimi i Trepçës, atëherë do të formohej një kompani e cila do të vlerësonte vlerën e asteve. Në këtë rast shikohet cilat asete mund të shiten, dhe me to të paguhen borxhet, dhe Trepça si e tillë copëtohet. Pra me këtë disa pjesë do të vazhdonin punën si asete private, ndërsa të tjerat si hekuri dhe gjëra të tjera do të shiteshin”, ka thënë Mikullovci në një bisedë për lajmi.net