Ish-drejtori Qalaj: Shkeljet në konkursin për rreshter ishin goditja më e rëndë që ka marrë ndonjëherë Policia e Kosovës

Konkursi për gradimin e policëve në gradën e rreshterit në kuadër të Policisë së Kosovës është anuluar gjatë ditës së djeshme. Policia e Kosovës njoftoi se është marrë vendim për anulim, duke mos “lëkundur” kështu besueshmërinë e madhe në PK. Deri tek anulimi i këtij konkursi erdhi shkaku i raportimeve të shumta në lidhje me…

Lajme

10/07/2024 14:00

Konkursi për gradimin e policëve në gradën e rreshterit në kuadër të Policisë së Kosovës është anuluar gjatë ditës së djeshme.

Policia e Kosovës njoftoi se është marrë vendim për anulim, duke mos “lëkundur” kështu besueshmërinë e madhe në PK.

Deri tek anulimi i këtij konkursi erdhi shkaku i raportimeve të shumta në lidhje me “dallaveret” që ishin bërë për realizimin e këtij konkursi, aplikimit e deri tek mënyra e zhvillimit të testimit.

Në lidhje me këtë konkurs, hetime disa mujore ka realizuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, nga ku u paraqitën 8 rekomandime ku ndër të tjerash propozohej që të anulohet i gjithë procesi.

Sipas gjetjeve të IPK-së, dobësitë e vërejtura gjatë fazës së konkurrimit rezultuan më pas me shqetësime dhe u përcollën me ankesa.

Për këtë çështje redaksia e lajmi.net ka kontaktuar me ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Sipas Qalajt, një proces i tillë ka dëmtuar dukshëm imazhin e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar si goditjen më të rëndë që institucioni e ka marrë deri më tash.

“Është goditja më e rëndë që i’u ka shkaktu Policisë së Kosovës që nga krijimi deri më tash. E patë që është një proces me shumë të meta, me shumë gabime, me shumë dështime, gjëra që nuk i kanë hije policisë. Pas një raporti mjaft të gjatë të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Policia e Kosovës u detyrua që ta anulojë këtë proces të gradimit. Mendoj që është një proces që ka dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës skajshmërisht” tha Qalaj.

Tutje, Qalaj tha se keqpërdorime ka pasur që nga shpallja e konkursit duke përfshirë këtu dhënien e të drejtës edhe personave që nuk kanë përmbushur kushtet e parapara.

“Ky proces është dëmtuar që nga shpallja e konkursit, pastaj, dhënia e të drejtës për pjesëmarrje në procesin e gradimit për gradën rreshter për një gjeneratë e cila nuk i ka përmbushur akoma kushtet ligjore që të jetë pjesë e procesit”, shtoi ai.

Në pyetjen se a mund të ndikojë një proces i tillë në humbjen e besueshmërisë të qytetarëve në raport me institucionet e policisë, Qalaj, u shpreh se përveç në besimin e qytetarëve diçka e tillë do të ndikojë edhe në motivimin e policëve.

“Absolutisht që po. Ka me ndiku edhe në motivimin e policëve. Mos të harrojmë që një numër shumë i madh i policëve janë përgatitur me muaj që të hyjnë në këtë proces të testimit për gradën e rreshterit, pra, ata kanë mësuar, kanë sakrifikuar kohën e lirë përveç angazhimeve që i kanë të përditshme, dhe në fund për shkak të një numri të njerëzve që kanë shfrytëzuar mundësinë joligjore që të kenë testin ose të kenë informata në lidhje me pyetjet. Mendoj që është dëmtuar policia dhe mendoj që ka me i’u ndiku shumë edhe në besueshmërinë tek qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Ish-drejtori i Policisë tha se pret nga Inspektorati të vazhdojë me punën hetimore dhe me gjetjen e personave përgjegjës.

“Për këtë gradë është bërë një shkelje mjaft e rëndë dhe besoj që inspektorati do të vazhdojë me punën e tyre hetimore dhe gjetjen e njerëzve përgjegjës”, përfundoi Qalaj.

Duhet përkujtuar që në konkursin e gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës kishin aplikuar gjithsej 1 mijë e 749 zyrtarë policorë. Nga ky numër i madh i atyre që aplikuan, 1 mijë e 481 e kaluan testimin me shkrim.

Në kuadër të gradimit për rreshter, nga Policia e Kosovës ishte bërë e ditur se janë gjithsej 350 pozita të lira.

Pavarësisht numrit të lartë të atyre që e kaluan këtë testim, procesi ishte paraparë i gjithi me dallavere.

“Shkelje rregulloresh, favorizim i kandidatëve, lejim i kopjimit, telefona në sallë”, kësisoj është përshkruar dita e testimit që është zhvilluar në objektin e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.

Në mesin e këtyre shkeljeve që theksohet të jenë bërë në procesin e testimi për gradim është se Policia e Kosovës dyshohet për favorizim të një prej gjeneratave, që në bazë të ligjit nuk plotëson kushtet për pjesëmarrje në gradim për ‘Rreshter’. Sipas dyshimeve të para gjenerata 54 janë zyrtarizuar në vitin 2022 si policë të lartë, e kësisoj bien në kundërshtim me udhëzimin administrativ për gradim.

Konkursi për gradën ‘Rreshter’ në kuadër të Policisë së Kosovës nuk ishte hapur për tetë vite.

Konkursi që nuk u hap 8 vite duket se do të dalë edhe më problematik se që kishin mundur të imagjinonin zyrtarët policorë të Kosovës./Lajmi.net/