Ish- drejtori në Ministrinë e Ambienti i dënuar me burg, mësimdhënës në Universitetin “Haxhi Zeka”

Naser Bajraktari, drejtor në Departamentin e Ujërave në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor u dënua me dy muaj burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë në qershor të këtij viti.

Lajme

22/08/2015 09:23

Ai është dënuar për fshehje të pasurisë në deklarimin që e kishte bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Vendimi ende nuk është bërë i plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit.

Por, Universitetin “Haxhi Zeka” nuk e ka penguar fakti që Bajraktari mund të prangoset nga dita në ditë, andaj e ka përzgjedhur mësimdhënës  për të ligjëruar lëndën e Kimisë në Fakultetin e Agrobiznesit.

Ai pritet t’ia nisë punës më 1 tetor të këtij viti. Bajraktari në maj po të këtij viti është suspenduar nga puna në Ministrinë e Ambientit ngase kishte aktakuzë të ngritur, shkruan Zëri.

Valdete Tahiri, zyrtare për informim në MMPH, ka treguar se Bajraktari ende vazhdon të jetë zyrtar në suspendim i Ministrisë deri në një vendim tjetër. “Naser Bajraktari është suspenduar nga Ministria për arsye të cilat tashmë dihen. Masa e suspendimit është ende në fuqi për të, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet kompetente”, ka thënë Tahiri.