Ish drejtori i Shpend Ahmetit e kishte hequr flamurin e Kosovës te rrethi

Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë sot se flamurin kuqezi në hyrje të Prishtinës nuk e din se kush e ka vendosur, respektivisht ai ka thënë se flamuri në këtë rreth nuk është vendos asnjëherë nga komuna.

Lajme

27/01/2018 20:59

Në këtë mënyrë iu ka përgjigjur kërkesave të qytetarëve të Prishtinës për rikthimin e Flamurit të Republikës së Kosovës te rrethi e jo flamurin kombëtar.

Megjithatë, po del që flamuri i Kosovës është hequr nga një ish drejtori i Shpend Ahmetit. Bëhet fjalë për Salih Zybën.

Më 4 mars të vitit 2016 ish Drejtori Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Sali Zyba është akuzuar për dëmtim të pasurisë. Salih Zyba është edhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan lajmi.net.

Salih Zyba

Salih Zyba

Në aktakuzë Zyba akuzohej për largimin e flamurit shtetëror nga shtylla e tij te rrethi afër spitaleve në Prishtinë.

Këtë vepër sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës Zyba e kishte kryer në vitin më 27 nëntor 2013, dymbëdhjetë minuta pas mesnatës.

Prokuroria pati bërë me dije se Zyba atë natë e kishte zhvendosur flamurin shtetëror, duke e lënë në tokë me qëllimin që për 28 nëntorin e atij viti ta vë flamurin kuqezi.

Sipas prokurorisë, Zyba ishte vërejtur nga policia gjatë kryerjes së këtyre veprimeve, për t’u dërguar në Stacionin Jugu të Prishtinës.

Zyba akuzohet për asgjësim, apo dëmtim të pasurisë. Kjo vepër penale dënohet me burgim deri në një vit.

Zyba ishte arrestuar më 29 shkurt të atij viti në vendin e tij të punës në Komunën e Prishtinës. Zyba aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës nga VV-ja.

Flamuri i Kosovës ishte vendosur në sheshin “Idriz Seferi” në hyrje të Prishtinës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Qytetarët po kërkojnë që flamuri i Kosovës të kthehet aty ku ishte. /Lajmi.net/