Ish-drejtori i Krimeve të Rënda thotë se pas vrasjes së Triumf Rizës, hetimi u drejtua te Enver Sekiraqa

Në rigjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, në seancën e së mërkurës ka dhënë dëshminë e tij, Latif Merovci, i cili në kohën e vrasjes së tani të ndjerit Triumf Riza, kishte pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Krimeve të Rënda pranë Policisë së Kosovës.

Lajme

13/03/2019 13:47

Dëshmitari Merovci, ka deklaruar se pas marrjes së lajmit për vrasjen e Triumf Rizës, dyshimet e para ishin që Sekiraqa kishte gisht në vrasjen e tij, pasi siç ka thënë ai, bazuar në konfliktet njohura që ata kishin mes tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Informacioni i parë ka qenë që Triumf Riza është vrarë në qytet dhe dikush është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, pasi ka shtënë në të. Për shkak të historikut pothuaj të njohur, që shumica e kanë pasur në dijeni që Triumf Riza ka pasur telashe me zotin Enver Sekiraqa, sigurisht që mendja e të gjithëve ka mundur t’ju shkojë që mund të ketë lidhje me zotin Enver Sekiraqa, por kjo nuk është dëshmi që domosdo merret parasysh për me bo ndonjë veprim”, tha dëshmitari Merovci.

Ai tha se nga informacionet tjera që kishte marrë nga hetuesit policorë që ndodheshin në vendin e ngjarjes, rezultonte se kryesi i panjohur atë kohë, kishte dal aty me qëllimin e vetëm që ta vriste Triumf Rizën, pasi ata nuk kishin pasur ndonjë konflikt apo kacafytje aty për aty mes tyre.

“Informacionet tjera që kanë ardhur nga vendi i ngjarjes, është se personi që ka shtënë është i panjohur për momentin, rrethanat që ka shtënë në të, le të themi se është dal pikërisht për ta kryer vrasjen , nuk ka pasur ndonjë konflikt aty për aty apo kacafytje me personin që ka shtënë në të. Do të thotë është dal në bazë të informacioneve fillestare, është dal për ta vrarë të ndjerin Triumf Riza”, tha dëshmitari.

Ai tha se në ndërkohë njësitet policore kishin marrë informacione se një qytetar edhe kishte bërë një fotografi të personit që kishte kryer vrasjen.

Ai ka sqaruar se ditën kritike të 30 gushtit 2007, me qëllim të zbardhjes së rastit ishte parë e nevojshme që të kryheshin bastisje në lokalin “Sekiraqa” dhe në shtëpitë dhe objektet tjera përcjellëse në pronësi të tani të akuzuarit Enver Sekiraqa.

“Ditën kritike nga vendi i ngjarjes kam komunikuar me toger Fadil Gashin, i cili me njohuritë e mia që kam, ka qenë së bashku me prokurorin Osman Mehmeti, dhe është parë e nevojshme që të kryhen bastisje në lokalin “Sekiraqa” që është në Dardani, pastaj në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të dyshuarit Enver Sekiraqa”, shtoi dëshmitari.

Lidhur me këtë, ai tha se objektivi primar i bastisjeve fillestare në lokacionet e përmendura ishte kapja e tani të akuzuarit Sekiraqa.

“Saktësisht është vështirë ta them, por besoj në rend të parë e kam përmenduar zotin Enver Sekiraqa, lokalin dhe shtëpinë e tij, se këto kanë qenë cak i bastisjeve fillestare për shkak të dyshimeve që kemi pasur. Ta them të drejtën lokali ka qenë më primar se çdo gjë tjetër, për faktin se aty ndoshta do të mund të hasej zoti Enver Sekiraqa”, tha ai.

Ndërsa, në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit, avokates Kosovare Kelmendi, dëshmitari deklaroi se në orën e parë pas vrasjes së Triumf Rizës, identiteti i kryesit të veprës penale nuk ka qenë i ditur, andaj sipas tij, edhe janë ndërmarrë veprime të tilla hetimore, siç ishin bastisjet në fjalë.

“Në orët e para, ose të themi në orën e parë pas incidentit, identiteti i Arben Berishës nuk ka qenë i ditur, kohën kur kam kontaktuar për herë të parë me gjyqtaren dhe kur kam kërkuar urdhëresë për bastisjen e shtëpisë dhe lokalit të Sekiraqës, emri i Arbenit nuk ka qenë i njohur”, shtoi ai.

Ai tha se po atë ditë kishte marrë një urdhër verbal nga gjyqtarja e procedurës paraprake Drita Hoxha, për bastisjen e atyre lokacioneve, pasi për një komunikim të tillë ishte autorizuar nga prokurori Osman Mehmeti.

Në pyetjen tjetër të avokates Kelmendi se a ishin kryer bastisjet në bazë të vetëm një urdhri apo ishin marrë me shumë sosh, dëshmitari tha se me aq sa i kujtohej rezulton të jenë marrë më shumë urdhëresa të tilla nga gjyqtarja Hoxha për kryerjen e këtyre bastisjeve.

Në fund, ai ka mohuar jetë përpiluesi i procesverbaleve të tilla, duke shtuar se ka njohuri nëse këto veprime të ndërmarra nga hetuesit policorë, edhe janë arsyetuar me shkrim tek gjyqtarja Hoxha, e cila përmes urdhrit verbal kishte autorizuar zbatimin e tyre.

“Nuk kam qasje në dokumentacion dhe nuk mund ta jap përgjigjen se a është kryer apo si është kryer. Ajo çka mund ta përsëris është se gjyqtarja ka dhon urdhër për kryerjen e kësaj bastisje, prokurori na ka lejuar që të bëjmë kërkesë për një urdhër të tillë. Unë nuk e përpiloj atë, atë e përpilojnë hetuesit e niveleve më të ulëta dhe nuk e di a është përpilu apo jo”, tha në fund ai.

Ndërsa, pyetjet e parashtruara nga i akuzuari Sekiraqa në drejtim të dëshmitarit Merovci të natyrës se “a ke besim të plotë në kolegët e tu”, “a e din sipas ligjit se dëshmitarët a duhet mu marr në pyetje në zyrat e stacionit, apo duhet të dërgohen nëpër parkingje”, apo pyetje se “po dojmë me ditë a e ke lshu punën a të kanë suspendu, se kolegët e tu po të akuzojnë”, u refuzuan nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, me arsyetimin se nuk ishin në përputhje me normat juridike.

Në këtë gjykim, ishte planifikuar të dëgjohej edhe dëshmitari Fadil Gashi, por ai nuk ka prezantuar dhe për të cilin, sipas gjykatësit Hoti, gjykata nuk kishte prova se ai ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Gjykatësi Hoti mori vendim që të konsiderohen të lexuara deklarimet dhëna në gjykimin e kaluar nga dëshmitari Gashi, para gjykatësve të EULEX-it, kjo bazuar në propozimin e prokurorit Haki Gecaj, dhe pëlqimin e avokates Kelmendi.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 29 Mars, duke filluar nga ora 9:00.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /BetimipërDrejtësi