Ish-deputetja e LDK-së për mos-heqjen e vizave: Dështuan institucionet, nuk e bënë punën në terren

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka thënë se mosmarrja e një vendimi pozitiv për liberalizmin e vizave për Kosovës në Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është dështim i institucioneve të Kosovës dhe BE-së.

Lajme

23/06/2022 21:30

Ajo në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se institucionet e Kosovës kanë pasur pritje jo-realiste dhe se nuk kanë punuar në teren me vendet skeptike për liberalizimin e vizave.

“ Është dështim i dy anshëm, së pari institucionet e Kosovës nuk e kanë bërë punën si duhet në teren tek shtetet të cilat kanë refuzuar liberalizmin e vizave të Kosovës, është edhe një dështim nga BE për t’i ofruar liberalizimin e vizave Kosovës që është një kërkesë minimale, por në tërë projektin e tyre për Ballkanin Perëndimor ku përveç fjalëve të mira nuk ofroi asgjë”, tha Lama.

Për ish-deputetet e Kosovës fakti që një vend si Bullgaria krijo bllokadë sa i përket hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, tregon dështimin e institucioneve të BE-së.

“Sot një shtet krijo bllokadën për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, vetë atmosfera ku i mundësohet një bllokadë e tillë besoj që është një dështim për institucionet e BE-së, por edhe për mënyrën se si po funksionin Bashkimi Evropian”, tha ajo.

Në samiti e BE-së nuk pati ndonjë vendim pozitiv sa i përket liberalizmit të vizave për Kosovën, por as për Shqipërinë e Maqedoninë Veriore për hapjen e negociatave.