Ish-asamblisti i VV dhe dy tjerët deklarohen të pafajshëm për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve në protestat e 2015-ës
Ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, si dhe Luan Hoti dhe Naim Bunjaku, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për huliganizëm dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë në protestat e vitit 2015. I akuzuari Azemi tha se veprimet kanë qenë me qëllim të mbrojtjes së shtetit lidhur me çështjen e themelimit…
Lajme
Ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, si dhe Luan Hoti dhe Naim Bunjaku, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për huliganizëm dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë në protestat e vitit 2015.
I akuzuari Azemi tha se veprimet kanë qenë me qëllim të mbrojtjes së shtetit lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke iu referuar si “Zajednica” dhe të demarkacionit me Malin e Zi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në anën tjetër, i akuzuari Hoti tha se akuza është e ngritur me motive politike, duke shtuar se nuk e pranon fajësinë.
Dhe ne fund, edhe i akuzuari Bunjaku u deklarua i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.
Pas kësaj, gjykatësi Eroll Gashi, i njoftoi për të drejtën për kundërshtim të provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Egzon Azemi, Luan Hoti, Ardian Huli dhe Naim Bunjaku akuzohen se më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmën-protestën e organizuar, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit vetëm ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, të akuzuarit si pjesëmarrës aktiv të protestës, i kanë sulmuar seriozisht policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e kësaj u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore pjesëtarëve të policisë, të dëmtuarave Smail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 412, paragrafi 1, si dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për të akuzuarit Avdimetaj, Hasani dhe Huli tashmë është veçuar procedura penale dhe se ndaj tyre procesi gjyqësor po vazhdon ndaras prej tre të akuzuarve tjerë.