Ish-ambasadori amerikan në Beograd: Zgjidhja Kosovë-Serbi, të jetë fitore për të gjithë

Fuqitë botërore do të mbështesin iniciativat e presidentit të Serbisë dhe atij të Kosovës për të arritur një kompromis. Kështu po thotë Cameron Munter, ish-ambasador i Amerikës në Beograd, duke shtuar se zgjidhja mes dy shteteve duhet të jetë një fitore për të gjithë.

Lajme

25/06/2018 20:47

Duke komentuar një deklaratë të Vuçiqit pas raundit të ri të bisedimeve, Munter theksoi se shtetet e mëdha do të përkrahin zgjidhjen që e propozojnë presidentët e dy shteteve.

“Nëse ata nuk mund të arrijnë një marrëveshje për të zgjidhur problemet, atëherë dikush duhetë të jap përkrahje”, tha Munter, transmeton lajmi.net.

Ai shton se Kosova e Serbia duhet të bëjnë hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve. Kjo sipas tij përfshin zgjidhjen e problemit të kufijve, Asociacionit dhe marrëveshjeve të tjera të arritura.

Takimin e fundit ndërmjet dy presidentëve ai e cilësoi si një takim mjaft pozitiv.

“Javën e kaluar nuk ishte e gjitha ajo që dukej. Ka vend për përmirësime, por mendoj se është shumë mirë”, theksoi ish-ambasadori amerikan në Serbi.

Munter gjithashtu deklaroi se kërkesat për përfshirjen e Amerikës në dialog, po vijnë nga dy shtetet.

Duke folur për njohjen e Kosovës nga Serbia, tha se vendimet e tilla janë të vështira.

“Këto janë vendime të vështira. Unë shpresoj që procesi të lehtësohet”, përfundoi Cameron Munter.

Takimi i fundit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit u zhvillua dje në Bruksel. /Lajmi.net/