Isa Qosja, fitues i çmimit kombëtar ‘Bekim Fehmiu’

Regjisori Isa Qosja është fitues i çmimit kombëtar në Kinematografi ‘Bekim Fehmiu’, kurse fitues i çmimit për Kinematografi për vitin 2013 është Lendita Zeqiraj.

Lajme

01/06/2014 15:18

Ndarjen e këtyre çmimeve e bëri ministri në detyrë i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i cili tha se ky është vlerësimi më i madh institucional që bëhet në kinematografinë kosovare, raporton KosovaPress.

Sipas tij, përmes këtyre çmimeve vlerësohet puna më e madhe që bëhet në fusha të caktuara.

Ai tha se këto tri vite mandat i kanë dhënë rëndësi më të madhe kinematografisë dhe se kanë përmbushur të gjitha nevojat që ekzistojnë dhe kanë arritur që ta dyfishojnë buxhetin.

Ndërsa, Isa Qosja e falënderoi ministrin për këtë çmim, duke thënë se ky është një çmim i jashtëzakonshëm për të.

Kurse, Lindita Zeqiraj tha se ndjehet e nderuar për çmimin që mori, madje shtoi se ky është çmimi më i veçantë për të.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ndan këto çmime dhe që organizohen me rastin e ditëlindjes së aktorit tonë të madh, Bekim Fehmiu.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Bekim Fehmiu’ ka vlerë financiare 5 mijë euro, ndërkaq ai vjetor në kinematografi 2,500 euro.