Isa nuk mendon si Luta
Isa Mustafa thotë se çështja e shamisë është e përcaktuar në Kushtetutë dhe Ligje. Sipas tij, LDK e ka dhënë qëndrimin e vet në Kuvend. Pohon se vendimi për bartjen e shamisë në shkolla nuk i takon Komunës. As atij, as Lutës, e as asnjë Kryetari Komune.

Lajme
Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se e drejta për të mbajtur shami në shkolla është çështje e përcaktuar në Kushtetutë dhe se i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë për të.
Në ditët kur përdorimi i shamisë nëpër shkolla ka rrëshqitur në nivelin e premtimeve elektorale, kreu i LDK’së, i cili gjithashtu është pjesë e zgjedhjeve meqë kërkon votën për të mbetur në krye të Komunës së Prishtinës edhe për katër vjetët e ardhshme, ka dashur t’i rrijë larg një premtimi të tillë.
Në një intervistë për Televizionin Rrokum, ai ka thënë se çështja e shamisë nuk është kompetencë e asnjë Kryetari të Komunave.
Qëndrimi i LDK’së, sipas Mustafës, është ai që e kanë dhënë në Kuvend dhe shton se askush nuk mund të “veprojë jashtë ligjit”.
Mustafa ka folur për çështjen e bartjes së shamisë, pasi që kandidati i kësaj partie për Kryetar të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë fushatës elektorale ka deklaruar se do të lejojë që vajzat do të mund të bartin shami në shkollat publike.
“Ne pozicionimin tonë e kemi dhënë në Kuvend. Mendojmë se kjo është çështje kushtetuese. Nuk është çështje të cilën as Isa Mustafa, as z.Haziri, e zgjidhin me qëndrimin e vet. Asnjëhri prej nesh”, ka thënë Isa Mustafa për Televizionin Rrokum.
“Asnjëri prej nesh nuk mund të veprojë jashtë ligjit”.
“Unë në Komunën e Prishtinës nuk mund të sjell një rregullore e cila është në kundërshtim me Ligjin mbi Arsimin e Mesëm dhe Arsimin Fillor dhe me Udhëzimin Administrativ të cilin e ka lëshuar Ministria e Arsimit”.
Mustafa thotë se nëse ai do të sillte një vendim për lejimin e bartjes së shamisë nëpër shkolla të Komunës së Prishtinës, ky vendim nuk do të ishte jetëgjatë.
“Çdo gjë që sillet në Komunë, edhe ai vendim, nuk do ta kishte jetëgjatësinë më shumë se 7-8 ditë, për arsye se çdo vendim i yni shkon në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ata e vërtetojnë nëse ai vendim është në harmoni me ligjet dhe me dispozitat ligjore të Kosovës apo nuk është. Nëse nuk është, na e kthen me vërejtje që ne ta dërgojmë në mbledhje të Kuvendit dha ta ndryshojmë”.
Isa Mustafa thotë se askush nuk mund të bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet duhen zbatuar, pavarësisht mendimeve personale për çështje të caktuara.
Për çështjen e shamisë, Mustafa thotë se është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese të japë mendimin e saj.
“A është e lejueshme që të mbahen shamitë apo jo, do të thotë si e interpreton Kushtetuta këtë çështje, sepse Kushtetuta e interpreton si të drejtë fenë”.
“Kushtetuta, po ashtu, thotë se shteti ynë është shtet laik. Dhe tash, për këto dy definime pak kundërthënëse të Kushtetutës, duhet që përgjigjen ta japë Gjykata Kushtetuese, e jo ne. Jo Kryetari i Komunës”.
“Mendoj se ne të gjithë, na pëlqeu apo nuk na pëlqeu, çfarë është mendimi jonë individual apo jo, ne duhet të zbatojmë ligjet të cilat janë në fuqi”, ka thënë Isa Mustafa për Televizionin Rrokum.