Isa Mustafa uron pasardhësen e Merkelit

Me rastin e zgjedhjes së znj. Annegret Kramp-Karrenbauer kryetare e CDU-së, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka dërguar telegram urimi.

Lajme

07/12/2018 18:06

“Me gëzim të thellë morëm lajmin e përzgjedhjes së znj. Annegret Kramp-Karrenbauer kryetare të partisë simotër CDU, njëherësh edhe anëtare e përbashkët e LDK-së në Partitë Popullore Evropiane.

Znj. Kramp-Karrenbauer ka përshkruar një karrierë të gjatë e të suksesshme politike duke përfshirë Bundestagun gjerman, qeverinë e shtetit të Saarland-it dhe, nga shkurti i vitit 2018, pas nominimit nga Kancelarja Merkel, sekretare e përgjithshme e CDU-së.

LDK dhe CDU kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm gjatë udhëheqjes së CDU-së nga Kancelarja Merkel. Më 30 qershor 2015, si rezultat i këtij bashkëpunimi Kosovë-Gjermani dhe LDK-CDU, me ftesë të Kancelares Merkel, në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, kam realizuar një vizitë shtetërorë në Gjermani.

Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret zgjedhjen e znj. Kramp-Karrenbauer kryetare e CDU-së duke shpreh interesimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të qëndrimeve dhe aktiviteteve me partinë simotër CDU dhe me partitë tjera anëtare të Partive Popullore Evropiane”, ka thënë kryetari Mustafa në telegramin e urimit. /Lajmi.net/