Isa Mustafa: Rrëfimi për krimin ku dyshohet përfshirja e Ivanovicit

Njëri nga të mbijetuarit e tragjedisë në Mitrovicë, në vitin 1999, është edhe Isa Mustafa. Ai rrëfen për Kosovapress gjithçka që ka parë dhe përjetuar atë ditë. Thotë ta ketë parë Oliver Ivanovicin me uniformë dhe të armatosur deri në dhëmbë.

Lajme

30/01/2014 21:22

Më 14 prill të vitit 1999, në rrugën e “Kovaçëve” në Mitrovicë, paramilitarët me fqinjtë serbë, dhunshëm i nxorrën nga shtëpitë dhe i ekzekutuan 20 persona të kësaj lagjeje.

Njëri nga të mbijetuarit e asaj tragjedie është Isa Mustafa, i cili rrëfen për Kosovapress gjithçka që ka parë dhe përjetuar atë ditë.

“Më 14 prill të vitit 1999, rreth mesditës, ushtarët serbë të armatosur, kanë hyrë në shtëpinë time dhe na kanë urdhëruar të gjithëve të dalim jashtë. Përveç familjes sime, në shtëpi kanë qenë edhe Shefki Kasumi, dhëndërr i dajës si dhe Shemsi Kalludra me familje. Pasi kemi dalë nga shtëpia në rrugë, meshkujt i kanë detyruar që me duar të ngritura lartë të mbështeten nga muri, ndërsa gratë dhe fëmijët i kanë nisur në drejtim të rrugës kryesore, me porosinë që të shkojnë drejtë në Shqipëri”, tregon Mustafa.

Sipas tij, të gjithë meshkujt e lagjes, i kanë tubuar në një vend të njëjtë dhe i kanë urdhëruar të qëndrojnë të mbështetur për muri me duar të ngritura lartë.

Rreth gjysmë ore qëndrimi, vazhdon ai, njerëzit janë rrahur vazhdimisht me shufra të hekurit dhe mjete të ngjajshme.

“Jemi urdhëruar të nisemi në drejtim të rrugës kryesore, ndërsa, gjatë gjithë kohës, na pyetnin për UÇK-në dhe pyetje të ngjajshme“.

Ai, tregon se te shkallët, afër shtëpisë së familjes Sefaja, i kanë ndarë në dy grupe, ndërkohë që vet ka mbetur me grupin, të cilin e përbënin 9 veta. Sipas tij, grupi i tijka ecur, gjithnjë, sipas urdhërave të ushtarëve, anës së majtë të rrugës deri te kthesa që shpie për në fshatin Frashër.

“Aty jam befasuar kur e kam parë Oliver Ivanoviqin, të cilin e njoh shumë mirë dhe sikur mos ta kisha parë me sytë e mi nuk do të kisha besuar kurrë. Kishte të veshur uniformë të kaltër e kapelë të zezë në kokë dhe ishte i armatosur deri në dhëmbë”, ka thënë Mustafa.

Ai sqaroi se Ivanoviq kishte pushkë automatike në pjesën e parme, dy thika të mëdha në njërën dhe anën tjetër të gjoksit, si dhe revole, ndërsa aty ka parë edhe Srgjanin me Igorin, të dy këta fqinj nga e njëjta lagje.

“Kanë qenë rreth 20 persona të uniformuar që qëndronin afër nesh, ndërkohë që nga prapa është dëgjuar me zë të lartë urdhëri në serbishte: kokat poshtë”, rrëfen Mustafa.

Pas këtij urdhëri, vazhdon rrëfimin Mustafa, të gjithë të uniformuarit i kanë lëshuar maskat nëpër fytyra dhe kanë urdhëruar që të gjithë të ecin në drejtim të fshatit Frashër.

“Gjatë rrugës i kam thënë Shefki Kasumit, të cilin e kisha afër, se të gjithë këta njerëz i njoh mirë, sepse janë nga rrethi i lagjes tonë”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se pasi kanë ecur 10-15 metra, i kanë urdhëruar të ndalen.

Ai tha se aty ka dëgjuar që njëri i është drejtuar në serbishte ‘Olës’ (Oliver Ivanoviqit) i cili udhëhiqte aksionin, duke kërkuar instruksione nga ai si të veprohet, derisa ‘Ola’ i është përgjigjur shkurt ‘vepro sipas urdhërit’.

“Menjëherë, Skender Paçaradën dhe Fatmir Mustafën i kanë futur në bodrumin e shtëpisë së Haki Kurshumliut, ndërsa Avniun me dhëndërrin e vet Mehmetin, në lokalin e Sami Kaçanikut. Pas kësaj, janë dëgjuar krismat dhe derisa qëndronim në rresht një nga një me duar të lidhura prapa koke, është dëgjuar një zë nga poshtë, po ashtu, në gjuhën serbe ‘ndërpëreje, kush ka urdhëruar të shtihet”, sqaron Mustafa.

Sipas tij, pas këtij zëri, një person që tani kishte vurë maskën në fytyrë na është drejtuar në shqip ‘e tash për Sërbicë dhe në Shqipëri’.

“Jam i sigurt se këto fjalë na i ka thënë Oliveri, sepse ai din mirë shqip. Njerëzit kanë filluar të vrapojnë në drejtim të tregut të pemëve, derisa kanë filluar të dëgjohen krisma të automatikëve, pothuajse, nga të gjitha anët.Aty i kanë vrarë edhe të tjerët, por nuk kam guxuar ta kthej kokën dhe t`i shikoj, ndërsa rruga ka qenë pothuajse tërësisht e përgjakur”, ka thënë Mustafa.

Ai theksoi se bashkë me Shefkiun kanë shkuar në lagjen “Tavnik” (Ilirida), ku pas dy ore kishte takuar familjen e tij, dhe këdo që e ka takuar aty, i kishte treguar për të gjitha që kishte parë.

Isa, tregon se pas kthimit nga Shqipëria, më datën 2 korrik 1999, ka shkuar në xhandarmërinë franceze dhe ka dhënë deklaratën e tij për të gjitha që kishte parë e përjetuar më 14 prill.

“Është një episod shumë i hidhur në jetën time, të cilën nuk kisha dashur ta kujtoj as edhe për një çast, por që nuk po mundem ta harroj”, ka thënë mes tjerash Mustafa.

(Kosovapress)