Isa Mustafa pret të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel

Në LDK thuhet se po presin një mundësi të tillë. Ndërsa, për ta realizuar këtë ka angazhim të gjithanshëm. 

Lajme

03/11/2014 22:42

Sipas burimeve të Gazetës Express, nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë gjasat janë reale që Isa të nominohet për kryeministër, ndërkaq Hashim Thaçi për president.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa pritet të udhëtojë javën e ardhshme për në Berlin. Burime të Gazetës Express kanë bërë me dije se Mustafa pret të takohet me Kryeministren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Vizita e Mustafës në Berlin dhe pritshmëria për një takim të mundshëm me kancelaren Merkel, vjen në kohën kur vendi vazhdon të mbetet në një bllokadë politike, e krijuar që prej zgjedhjeve të 8 qershorit.

Për një koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe LDK-së është folur në vazhdimësi. Derisa po zhvilloheshin takime pothuajse çdo ditë të liderëve të asaj që njihet si “Blloku”, pothuajse çdo ditë kishte edhe deklarata kur përflitej një koalicion i mundshëm mes dy partive më të mëdha në vend.

Thirrje më e hovshme për krijimin e institucioneve vërehet sidomos gjatë tre muajve të fundit. Nuk është përjashtuar as ajo që njihet si “koalicion i gjerë”.

Megjithëkëtë, ende nuk dihet për fatin e partive të tjera që përbëjnë Bllokun, përkatësisht NISMËS dhe AAK-së, nëse ato do të jenë pjesë e një qeverisjeje PDK – LDK, ose jo.