Isa Mustafa për vizitë zyrtare në Slloveni
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë, me ftesë të kryeministrit slloven, Miro Cerar, ku do të pritet me nderimet më të larta shtetërore.

Lajme
Përveç takimit me homologun Miro Cerar, kryeministri Mustafa do të takohet edhe me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Millan Bërglez dhe kryetarin e Lubjanës, Zoran Jankoviq.
“Vizita e kryeministrit Mustafa në Slloveni dëshmon marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve dhe pritet të ketë rezultate konkrete në fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në delegacion me kryeministrin janë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ndërsa gjatë vizitës pritet të nënshkruhet një marrëveshje e bashkëpunimit policor ndërmjet dy ministrive.
Pjesë e kësaj vizite janë edhe udhëheqësit e odave ekonomike të dy vendeve, të cilët do të realizojnë agjendë të veçantë.
Gjatë qëndrimit në Lubjanë, kryeministri Mustafa po ashtu do të takohet edhe me bashkatdhetarët tanë në Slloveni.