Isa Mustafa në mbrojtje të Donika Gërvallës

Mustafa, në një postim të sotëm në Facebook, deklaratat kundër Donika Gërvallës i ka quajtur “fushatë” dhe “mungesë të kulturës demokratike”. Ai kërkon që të vendoset një standard edhe për ata që bëjnë pyetje, e jo vetëm për ata që japin përgjigje.

Lajme

17/01/2014 09:11

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa është vënë në mbrojtje të Donika Gërvallës në debatin e hapur nga vetë ajo dy ditë më parë me një deklaratë të bërë për Kryetarin e AAK’së, Ramush Haradinaj.

Zyrtarë të AAK’së kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së Gërvallës, vajzës së Jusuf Gërvallës.

Mustafa, në një postim të sotëm në Facebook, deklaratat kundër Donika Gërvallës i ka quajtur “fushatë” dhe “mungesë të kulturës demokratike”.

Por, Mustafa kërkon që të vendoset një standard edhe për ata që bëjnë pyetje, e jo vetëm për ata që japin përgjigje.

“Demokracia ua mundëson njerëzve të shprehin mendimin e tyre. Edhe ky është fat ynë. Fat të cilit duhet t’i gëzohemi. Natyrisht se shpesh shprehja e mendimit nga dikush nuk u pëlqen të gjithëve, disa atakohen e disa, me të drejtë, e kundërshtojnë”.

“Të gjithë nuk kemi informata të njëjta, nuk sillemi në rrethe të njëjta, prandaj edhe nuk mendojmë dhe nuk shprehemi njëjtë. Kështu ndodhi edhe me zonjën Donika Gërvalla, e cila në një emision të Rubikonit shpalosi shumë vrojtime dhe mendime lidhur me Kosovën dhe më gjerë”.

“Nuk dëshiroj të them se çfarë më pëlqeu dhe çfarë jo nga ai emision, por ajo që nuk më pëlqen është fushata që fillon të zhvillohet kundër saj. Jo se atë e dëmton kjo fushatë, por nga fakti se po tregojmë një intolerancë dhe një mungesë të kulturës demokratike”.

“Është e vërtetë se cilësimet dhe vlerësimet e skajshme, nganjëherë kapërcejnë natyrën politike të të shprehurit dhe janë punë për të tjerët.”

“Por, në dritaret e mediave elektronike dhe në faqet e shtypit, këta muaj kemi përjetuar aq shumë vlerësime që cenojnë dinjitetin personal dhe familjar, aq të pavërteta dhe abuzime me të tanishmen dhe të kaluarën, që konsideroj se është një sinjal i mjaftueshëm se në këtë shoqëri duhet të mendojmë të ndërtojmë standard të përgjegjësisë, edhe për ata që shtrojnë pyetje edhe për ata që japin përgjigje, por edhe për ata që nxjerrin arkiva dhe gjysëminformata për të poshtëruar njerëz dhe familje. Duhet të krijojmë klimë që të thuhet e vërteta, me përgjegjësi”, ka shkruar Mustafa në Facebook.