Isa Mustafa insiston për zgjedhje në qershor

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, thotë se zhagitja e reformës nuk ka arsye që të ndikojë në vazhdimin e mandatit të një qeverisjeje që e ka humbur legjitimitetin e shumicës. Prandaj, ai sërish kërkon që zgjedhjet parlamentare të mbahen në qershor.

Lajme

29/01/2014 19:07

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, nuk tërhiqet nga propozimi i tij që zgjedhjet parlamentare të mbahen në qershor të këtij viti.

Duke folur për takimin e sotëm që ka pasur me liderët e partive tjera politike rreth reformës zgjedhore, Mustafa është shprehur se kjo reformë mund të kryhet shpejt, por ka kërkuar që procedurat e mëtejme të zhvendosen në Kuvendin e Kosovës, duke ia lënë punën Komisionit Parlamentar për Legjislacion.

Në një postim në Facebook, Isa Mustafa gjithashtu ka thënë se zhagitja e reformës nuk ka arsye që të ndikojë në vazhdimin e mandatit të një qeverisjeje, e cila, sipas tij, ka humbur legjitimitetin e shumicës.

“Sot biseduam edhe një herë me z. Thaçi për përmbylljen e reformës zgjedhore dhe zgjedhjet nacionale të këtij viti. LDK shprehu vullnetin e saj dhe bindjen se reforma zgjedhore mund të përfundohet shumë shpejt, prandaj procedurat e mëtejme të reformës duhet zhvendosur në Komisionin Legjislativ të Kuvendit dhe rrjedhimisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

“LDK pajtohet që reforma do të bëhet në suaza të mundësive që lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. LDK, po ashtu, konsideron se nuk ka asnjë arsye që prolongimi i reformës të ndikojë në vazhdimin e mandatit të një qeverisjeje e cila e ka humbur legjitimitetin e shumicës”.

“Konsiderojmë që zgjedhjet, më së largu, duhet të mbahen në muajin Qershor të këtij viti. Ndërkaq, cilësia e zgjedhjeve nuk do të varet vetëm prej reformës zgjedhore, por para së gjithash nga sjellja e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor dhe respektimi i ligjit”.