Isa Mustafa, asnjë fjalë për pretendimet e Kurtit se Thaçi ka bërë marrëveshje sekrete me NATO-n

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me Implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Lajme

26/02/2020 23:32

Siç njofton zyra e kryeministrit në një njoftim për media, përmes kësaj marrëveshje kryeministri, në atë kohë, Hashim Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar, transmeton lajmi.net.

Lidhur me këto pretendime të kryeministrit Kurti, nuk është deklaruar fare Isa Mustafa, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në fakt, Mustafa rreth të njëjtës çështje ishte deklaruar gjatë kohës kur ishte kryeministër i Kosovës në vitin 2015 ku kishte thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojë në veri pa u koordinuar me NATO-n.

“Është një pajtueshmëri me Aleancën Veri-Atlantike që në veri të vendit të mos shkohet pa marrëveshje me ta. Në çdo rast kur duhet të shkohet, kjo duhet të bëhet në pajtueshmëri me ta. NATO-ja nuk ka asgjë kundër që ne të themelojmë Forcat e Armatosura, por çdo gjë të bëhet në pajtueshmëri”, kishte thënë ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa më 2015, shkruan lajmi.net.

Kurti gjatë konferencës sot ka “amnistuar” me një farë forme liderin e LDK-së, Isa Mustafa që në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes së pretenduar, ishte në koalicion me PDK-në, shkruan lajmi.net.

Kryeministri është nxjerrur nga kjo situatë pas pyetjes së gazetarit, duke thënë se qeveritë e shkuara janë të shkuara, dhe për këtë duhet të përgjigjen vetë ato.

“Së pari qeveritë e shkuara janë të shkuara, dhe le të përgjigjen qeveritë e shkuara, unë nuk flas në emër të tyre. Unë këtë letërkëmbim nuk e kam gjetur në zyrën time, por më është dhënë nga një zyrtar i NATO-s, të cilit i jam falënderues”, tha Kurti.

Në anën tjetër, Osmani sot e ka bërë të ditur se e ka përcjellë letrën e kryeministrit Kurti tek deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe tani pritet që ata ta vlerësojnë situatën.

“Meqë në letrën e tij, Kryeministri i vendit e nënvizon rëndësinë e informimit të të gjithë deputetëve të Kuvendit lidhur me këto dokumente dhe asnjëra nga to nuk janë cilësuar si të klasifikuara sipas ligjeve në fuqi, ju kam përcjellë deputetëve të plotë letrën e Kryeministrit Kurti, shkëmbimin e letrave të vitit 2013 ndërmjet Kryeministrit të atëhershëm z. Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Rassmusen, si dhe Opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash.”, tha në reagim Osmani. /Lajmi.net/ 

‘Autogoli i Albin Kurtit’, marrëveshja e Thaçit me NATO-n ishte e njohur për të gjithë