IS, Obama dërgon edhe 1,500 trupa në Irak

Presidenti amerikan, Barack Obama ka urdhëruar dërgimin e 1,500 ushtarëve të tjerë në Irak, me detyrë për të trajnuar forcat irakiane dhe kurde në luftimin e xhihadistëve të IS, duke e çuar numrin e përgjithshëm të trupave amerikane atje në 2,900.

Bota

07/11/2014 23:38

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur përmes një deklaratë se do t’i kërkojë gjithashtu Kongresit një rritje financimi prej 5.6 miliardë dollarësh për luftën kundër grupit xhihadist “Shteti Islamik”. Trupat në fakt nuk do të kenë rol luftarak, por do të operojnë nga bazat që ndodhen jashtë Bagdadit dhe Erbilit.

“Presidenti mori këto vendime me kërkesë të qeverisë irakiane dhe sipas rekomandimeve të sekretarit të Mbrojtjes Hagel dhe komandantëve të tij, bazuar në nevojat e vlerësuara të forcave irakiane të sigurisë”, thuhet në deklaratë.

“Ne besojmë se kjo kërkesë është një mundësi për Kongresin dhe këtë administratë për të punuar së bashku në dhënien e burimeve shtesë të nevojshme për të degraduar deri në shkatërrimin total të IS, ndërsa unë do të synoj të punoj së bashku me Kongresin për të siguruar këtë financim”, tha Shawn Donovan, drejtori i Obamës për buxhetin.

Kërkesa përfshin 1.6 miliard dollarë për krijimin e një fondi për zhvillimin dhe mbështetjen e forcave të sigurisë irakiane e kurde, teksa ata po bëhen gati për të nisur një kundërofensivë ndaj IS, një organizatë ekstremistësh që kanë krijuar të ashtuquajturin “kalifat islamik” në rajone të tëra të Irakut dhe Sirisë.

Viceadmirali, John Kirby, zëdhënës i Pentagonit, tha se kërkesat janë të bazuara mbi vlerësimin e forcave irakiane të sigurisë, të bëra edhe nga Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM). Gjithashtu do të ngrihen qendra trajnimi për 9 grupe ushtarësh irakianë dhe 3 brigada të kurdëve “peshmerga”, shtoi Kirby. (Top Channel)