Irritohet Shkupi, ndëshkim penal për luftëtarët e Sirisë

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka paralajmëruar masa penale ndaj qytetarëve maqedonas që luftojnë në Siri

Lajme

23/06/2014 12:18

Autoritetet në Shkup janë irrituar pasi disa shtetas maqedonas që po luftojnë në Siri kanë djegur pasaportën e Maqedonisë, dhe menjëherë pas këtij veprimi, kanë paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj këtyre qytetarëve. Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar masa penale ndaj luftëtarëve në Siri. 

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, pas publikimit të një videoje ku një muxhahedinë pjesëtar i ushtrisë së Shtetit Islamik të Irakut dhe Shamit djeg pasaportën e Maqedonisë, tha se qeveria do të veprojë edhe ligjërisht ndaj tyre. 

“Tashmë bëmë hapin e parë, si Qeveri para disa muajsh. Pak para zgjedhjeve, bëmë ndryshime në Kodin Penal ku sanksionohen njerëzit që nxisin, organizojnë dhe promovojnë pjesëmarrje në konflikte dhe aktivitete luftarake në vendet e tjera, që në një farë mënyre përfshin ata që promovojnë aktivitete të tilla dhe janë qytetarë të Maqedonisë”, deklaroi Jankullovska. 

Kërkohet që në kuadër të Kodit Penal të aplikohen masa ndëshkimore për të gjithë pjesëmarrësit në luftërat e huaja. Këto masa janë nxitur pas numrit të madh të qytetarëve nga Maqedonia që luftojnë përkrah forcave të kryengritësve në Siri, citojnë mediet lokale në Shkup. 

Ndryshe, shumë shtete evropiane dhe ballkanike kanë miratuar tashmë ligj më vete që sanksionon pjesëmarrjen në luftërat në shtete të treta. Kosova, para pak muajsh miratoi ligjin i cili sanksionon deri në 15 vjet burg përfshirjen në ndonjë konflikt jashtë vendit. Ligji ka kaluar në parim, ndërsa pritet amendamentimi pas seancës së re parlamentare.

Gjithashtu duhet cekur se, shumica e personave nga Maqedonia që po marrin pjesë në luftën e Sirisë, janë të kombësisë shqiptare.