Irani me robot për ta ndalur Messin
Kombëtarja e Iranit përgatitet për ndeshjen me Argjentinën dhe Lionel Messin, duke përdorur një robot në stërvitje, para ballafaqimit të rëndësishëm në Grupin F të Kampionatit botëror.
Sport
Kombëtarja e Iranit është një prej skuadrave më të dobëta në Kampionatin botëror në Brazil.
Dhe, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për ballafaqimin e ardhshëm të vështirë në kuadër të Grupit F kundër Argjentinës të shtunën, dhe duelet me Lionel Messin, skuadra e selektorit Carlos Queiroz është stërvitur sot me ndihmën e një roboti.
Një pajisje që hedh topin me shpejtësi të madhe është përdorur në stërvitjen e fundit të Iranit, për të përgatitur sa më mirë futbollistët për topat dhe veprimet e shpejta të Messit dhe bashkëlojtarëve të tij. Për vështirësinë që i pret është i vetëdijshëm edhe Queiroz.
“Do të kërkojmë nga FIFA të na lejojë që të luajmë me 14 futbollistë”, deklaroi ai në shaka. Irani debutoi në Botërorin 2014 duke barazuar pa gola me Nigerinë, kurse Argjentina fitoi ndaj Bosnjës e Hercegovinës me rezultat 2:1.