Irani e liron veteranin e marinës amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se veterani i marinës amerikane, Michael Ëhite, i cili u arrestua në Iran në vitin 2018, është liruar dhe do t’i bashkohet familjes “shumë shpejt”.

Bota

04/06/2020 18:55

Trump tha në rrjetin social Twitter se White e ka lënë hapësirën ajrore të Iranit dhe gjendet “në një aeroplan zviceran”.

“Unë kurrë nuk do të ndalem së punuari për të siguruar lirimin e të gjithë amerikanëve të mbajtur peng jashtë shtetit! Faleminderit Zvicrës për ndihmën tuaj të madhe, ”shkroi Trump.

Nëna e White, Joanne White, tha në një deklaratë më herët se “makthi mbaroi dhe djali im është i sigurt dhe në rrugën e tij për në shtëpi”.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin, Brian Hook, fluturoi në Cyrih me një aeroplan të qeverisë zvicerane për të takuar Michael Ëhite, raporton agjencia e lajmeve AP.

Hook do ta shoqërojë atë në Shtetet e Bashkuara.

Michael Ëhite u arrestua nga ana e autoriteteve iraniane në korrik të vitit 2018 ndërsa ai ishte duke vizituar një grua që e kishte takuar në internet dhe me të cilën kishte rënë në dashuri.

Ai u dënua me 13 vjet burg për kinse fyerje për udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe postimin e informacioneve private në internet.

Gjatë pandemisë së koronavirusit në muajin mars, veterani i marinës amerikane u lirua përkohësisht nga burgu, për shkaqe mjekësore.

Lirimi i tij, nuk është i ndërlidhur me dëbimin në Iran, këtë javë, të shkencëtarit iranian, Sirios Asgari, thanë zyrtarët e SHBA-së.

Aktualisht Irani mban në burg edhe disa qytetarë të tjerë amerikanë.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë bërë gjithnjë e më armiqësore që nga viti 2018, kur presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore.

Presidenti Trump ka thënë se marrëveshja ishte e keqe dhe se ajo i mundëson Iranit të posedojë armë bërthamore.

Trump është zotuar se nuk do të lejojë që Irani të ketë armatim bërthamor.