Irani dëshiron marrëveshje brenda pak muajve

Rouhani tha se është plotësisht i autorizuar nga Ayatollah Khamenei për të negociuar rreth kësaj çështje. Irani do të mbajë mbledhje me fuqitë botërore mbi programin e tij të pasurimit të uraniumit.

Bota

26/09/2013 11:34

Presidenti iranian, Hassan Rouhani shpreson që të arrihet një marrëveshje me fuqitë botërore për programin bërthamor të Iranit brenda një periudhe tre deri gjashtë mujore.

Ai i tha për Washington Post se e ka parë miratimin e një rezolute si një ‘pikënisje’, për lehtësimin e marrëdhënieve mes SHBA’ve dhe Iranit.

Rouhani pohoi se është plotësisht i autorizuar nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, për të negociuar rreth kësaj çështje.

Të enjten, Irani do të mbajë mbledhje me grupin P5+1, të fuqive botërore mbi programin e tij të  pasurimit të uraniumit.

Ky do të jetë një takim i rrallë ndërmjet SHBA’ve dhe zyrtarëve iranianë. Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif, do të takohet me Sekretarin e Shtetit John Kerry, si dhe me diplomatët nga Britania e Madhe, Franca , Rusia, Kina dhe Gjermania në Nju Jork.

Presidenti Rouhani ka qenë në New Jork këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe ka dhënë disa intervista për mediat amerikane.

Mediat iraniane kanë akuzuar CNN’in sepse sipas tyre ka ‘shtrëmbëruar’, përgjigjen në lidhje me Holokaustin.

I pyetur në lidhje me një afat kohor për zgjidhjen e çështjes bërthamore, presidenti Rouhani deklaroi për Washington Post se “rruga e vetme për zgjidhjen e kësaj çështjeje është t’i përmes negociatave”.

“Sa më e shkurtër që të jetë koha e arritjes së marrëveshjes, do të jetë aq më e dobishme për të gjithë. Nëse do të jetë brenda 3 muajve kjo do të jetë zgjedhje për Iranin, e nëse është edhe 6 muaj prapë do të ishte mirë. Në pyetje janë muajt, jo vitet”.

Përkundër viteve të armiqësisë ndërmjet ShBA’ve dhe Iranit, Rouhani tha se nëse ai dhe Presidenti Barack Obama do të jenë bashkë, të dytë do të jenë “duke shikuar kah e ardhmja”.

“Këto shënime dhe letra dhe këto shkëmbime midis nesh janë në atë drejtim, dhe ato janë duke vazhduar”.

“Ne kemi nevojë për një pikë fillimi. Unë mendoj se është çështja bërthamore”.

Ai shtoi: “Pas zgjidhjes së çështjes bërthamore nuk ka dyshim që do të avancojmë dhe të shkojmë përpara. Gjithçka është e mundur pas zgjidhjes”.

Të martën, Rouhani i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se ai është përgatitur që të angazhohet që të “kufizojë kohën dhe të orientohet drejt rezultateve”, për bisedimet rreth çështjes bërthamore.

Irani ka negociuar me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, plus Gjermaninë, që nga viti 2005 rreth programit të tij bërthamor.

Perëndimi dyshon se Teheranit po përpiqet të zhvillojnë armë bërthamore, një akuzë e mohuar me forcë nga Irani.

Presidenti Obama e ka përshëndetur presidentin e ri iranian për “kursin e moderuar”.

Ai tha se SHBA dëshiron të zgjidhet çështja bërthamore në mënyrë paqësore, por në anën tjetër ishte i vendosur për të parandaluar Iranin që të zhvillojë armë bërthamore.

Të mërkurën, Zarif-i u takua me Ministrin e Jashtëm Francez, Laurent Fabius, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme.

Ai tha se ata “kishin një diskutim të mirë rreth bisedimeve për çështjen bërthamore dhe për bisedimet që do të zhvillohen nesër”.

Ekonomia e Iranit ka qenë e prekur keq viteve të fundit nga sanksionet e vëna nga vendet e OKB’së dhe vendet perëndimore mbi çështjen bërthamore.