Irani dëshiron bashkëpunim
Shteti islamik jep shenja bashkëpunimi me Perëndimin. Presidenti Rohani thotë se ka autoritet të plotë që ta zgjidhë problemin bërthamor të shtetit të tij.
Bota
Presidenti iranian, Hassan Rohani tha se qeveria e tij kurrë nuk do krijojë armë bërthamore, dhe se ai ka mjaft pushtet për të negociuar një marrëveshje me perëndimin mbi programin bërthamor.
Lideri iranian këto komente i bëri në një intervistë në rrjetin televiziv amerikan NBC.
“Në programin e vet bërthamor, kjo qeveri hyn me fuqi të plotë dhe ka autoritet të plotë. Ne kemi liri të mjaftueshme politike për ta zgjidhur këtë problem”.
Analistët thonë që lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, është i njohur për kontrollimin e të gjitha çështjeve të rëndësishme të shtetit, duke përfshirë edhe ato bërthamore.
Rohani tha gjithashtu se ai ka marrë një letër “pozitive dhe konstruktive”, nga presidenti Barack Obama, në të cilën ai i ka uruar zgjedhjen e tij si President i shtetit islamik.
Intervista në televizionin amerikan vjen përpara vizitës së planifikuar Rohani për në New Jork, javën që vjen për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha më 18 shtator se Barack Obama nuk ka plane të qarta se a do ta takojë Rohani’n në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së.
“Unë mendoj se është e drejtë të thuhet se Presidenti beson se ka mundësi për diplomaci kur është fjala për çështjet që kanë paraqitur sfida për Shtetet e Bashkuara dhe për aleatët tanë në lidhje me Iranin. Dhe ne shpresojmë se qeveria iraniane do të përfitojë nga kjo mundësi”.
Carney tha se Shtetet e Bashkuara do t’i testojnë pohimet e Rohani’t se ai dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar.