Irakut po i vjen fundi
Në periudhën pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 kanë qarkulluar shumë harta se si do të dukej Lindja e Mesme pas luftërave amerikane në rajon, pas disa revolucioneve dhe kundër-revolucioneve, pas Pranverës Arabe dhe pranverës pasuese për xhihadistët, pas luftës mes shiitëve dhe sunitëve për kontroll.
Bota
New York Times shkruan se në disa pika, këto harta sugjerojnë ndryshim kufijsh apo riformatim të komb-shteteve.
Në vitin 2006, ka qenë Ralph Peters, një kolonel i pensionuar amerikan, që ka skicuar një hartë, e cila ndante Arabinë Saudite dhe Pakistanin, ndërsa parashihte republika kurde, sunite dhe shiite të Irakut.
Dy vjet më vonë, gazetari amerikan, Jeffrey Goldberg, ka parashikuar ndarje të ngjashme, me mikro-shtete të reja, si Republika Alavite dhe Emirati Islamik i Gazës, duke ndarë madje edhe Afganistanin.
New York Times thotë se harta e Peters ka frymëzuar teori konspiracioni, sipas të cilave, ky është plani i vërtetë i Amerikës për të ribërë Lindjen e Mesme. Por, realiteti është krejtësisht ndryshe: një arsye përse këto harta kanë mbetur në mënyrë rigoroze hipotetike është se Shtetet e Bashkuara kanë interes të fuqishëm në ruajtjen e status quo-së.
Kjo, jo përse kufijtë ekzistues janë idealë. Në të vërtetë, është një shans i mirë që Lindja e Mesme, e cila ka qenë më shumë e ndarë sipas përkatësisë etnike dhe besimit, të bëhet një rajon më i qëndrueshëm në afat më të gjatë.
Ndarja e tillë ishte pjesë e transformimit të Evropës në shekullin 20 në një kontinent në paqe.
New York Times shkruan se spastrimi brutal etnik dhe migrimet e detyruara, të cilat kanë shoqëruar dy luftërat botërore, kanë bërë që, në shumicën e rasteve, çdo komb në Evropë të ketë shtetin e vet.
Por, kjo ka ndodhur vetëm pas spastrimit brutal etnik dhe nuk ka ndonjë arsye të mirë për të imagjinuar se rishkrimi i kufijve të Lindjes së Mesme mund të ndodhë në mënyrë më paqësore. Kjo është edhe arsyeja përse politikë-bërësit amerikanë kanë preferuar stabilitetin problematik.
Por, tani, kjo strategji pothuajse ka dështuar, shkruan New York Times. Me përparimin tronditës të militantëve drejt Bagdadit, tani ka tre shtete brenda atij që ne quajmë Irak: një kurd, një shiit dhe një sunit.
Kjo do të thotë se Iraku është bërë pjesë e një harku, që shtrihet nga qendra e Hezbollahut në Liban, nëpërmes Sirisë së shkatërruar nga lufta. Faktet ngjajnë më shumë me hartën e Petersit sesa me një vend, për stabilitetin dhe sigurinë e të cilit kanë vdekur shumë amerikanë.
Por, sipas gazetës, mungon edhe vullneti, edhe kapaciteti për të ndryshuar këtë.
Sikur administrata e presidentit Barack Obama të përqendrohej në Irak dhe të kishte përpjekje më efektive për të negociuar praninë e vazhdueshme amerikane, tre vjet më parë, do të parandalohej edhe ky separatizëm.
Harta tani po ndryshon.
Sikurse në Evropën e shekullit 20, çmimi i transformimit është duke u paguar me gjak, shkruan New York Times. /REL/