Inzaghi bëhet trajner te ekipi i njohur nga Serie A

Filippo Inzaghi është shumë pranë nënshkrimit me skuadrën e Bolognës.

Sport

12/06/2018 14:45

Kjo pasi Filippo Inzaghi është shumë pranë nënshkrimit me skuadrën e Bolognës, e cila ka mbetur pa trajner, pasi vendosi të ndërpresë marrëdhënien me Roberto Donadonin.

Ish sulmuesi i Milanit dhe Juventusit ka mbërritur sot në qytetin emilian dhe ka takuar drejtuesit e skuadrës kuqeblu, ndërsa palët janë dukur të lumtura, në dalje nga zyrat e klubit.

Ende nuk ka dalë komunikata zyrtare në lidhje me këtë akord, por ajo mund të publikohet nga momenti në moment, ndërsa për Inzaghin mund të kemi një kapërcim të trefishtë, pasi në sezonin 2016-2017 drejtonte në Serinë C1, në 2017-2018, në Serinë B dhe në 2018-2019 në Serinë A.

Super Pippo sapo ka mbyllur bashkëpunimin e tij me Venezian, të cilën e çoi deri në fazën Play Off të ngjitjes në Serinë A dhe tani është gati t’i lëshojë sfidën vëllait të tij, Simone Inzaghit, që drejton skuadrën e Lazios, transmeton “SS”.

Kur të dy kanë qenë në fushë e lojës, Filippo ishte lojtari më i spikatur, pasi ka shënuar shumë më tepër se i vëllai, por në trajning është pikërisht Simone, që drejton me sukses Lazion prej dy sezonesh.