Investitorët nga Dubai, njoftojnë ministrin Rrahmani për projektin e spitalit të fëmijëve

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot përfaqësues të Emirateve të Bashkuara Arabe, të shoqëruar nga zyrtarë nga Presidenca e Kosovës, me të cilët është biseduar për projektin e spitalit të ri kirurgjik-pediatrik që do të ndërtohet në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Lajme

24/06/2015 13:34

Ky donacion është në vlerë prej 22 milionë eurove dhe dhurohet nga Lartmadhëria e saj, Sheika Fatima Bint Mubarak e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se ministri Rrahmani ka falënderuar edhe një herë EBA për këtë kontribut të drejtpërdrejt në forcimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijë në Kosovë.

“Një spital i tillë do të ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e vendit në realizimin e prioriteteve që lidhen me shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë”, ka thënë ministri thuhet në komunikatë.

Ai ka falënderuar gjithashtu Presidenten Jahjaga për angazhimet në arritjen e marrëveshjes për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shëndetësinë në Kosovë.

Në takim, këshilltari i lartë për Kualitet dhe Monitorim në Autoritetin Shëndetësor të EBA, dr. Dirk Richter, ka prezantuar detaje teknike të projektit, i cili pritet të përmbyllet në dhjetor të vitit 2017, kur parashihet të nisin edhe operacionet e para në spitalin që do të ndërtohet.

Gjithashtu, delegacioni nga EBA njoftoi ministrin se EBA kanë ndarë tash edhe një donacion ne vlerë prej 200 mijë eurove për pajisje mjekësore për nevojat e institucioneve shëndetësore të Kosovës.