Investimet e Agim Bahtirit në rrezik nga Kuvendi komunal
Agim Bahtiri, kreu i komunës së Mitrovicës ka nisur individualisht të kujdesët për pronat përreth ku është planifikuar të ndërtohet fabrika e kërpudhave.
Lajme
Ekskavatori i ndërmarrjes publike të pastrimit “Uniteti”, vikendeve po gërmon në hapësirat pranë vendit të fabrikës.
Ky ekskavator, me urdhër të kryetarit ka nisur pastrimin e një parcele në Zhabar të Mitrovicës.
Bahtiri ka marrë këtë iniciativë, pasi që po frikësohet se investitorët mund ti ikin, për shkak të vonesave të Kuvendit komunalë.
Ai madje ka nisur të bëjë edhe oferta për pronat private të asaj pjese.
“Është duke u folur që ai dëshiron t’i marrë këto toka dhe të ndërtoj një fabrikë, mirëpo është një çmim i ulët që e ka dhënë ai“, ka thënë Dibran Sefedini njëri nga pronarët e tokave.
Se ka bërë këto oferta e ka pranuar për Klan Kosova edhe kryetari Bahtiri. Sipas tij pronat private i duhen për të vendosur makineritë e fabrikës.
Këto veprime e kanë shqetësuar opozitën në Mitrovicë.
Zëdhënësi i PDK-së, Artan Osmani këto punë të kryetarit jashtë Kuvendit Komunalë, i vlerëson si pështjellime. Ai po bënë pazare me pronarët e tokave, ndërsa në kuvend jepen propozim vendime për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.
Mirëpo kryetari i Mitrovicës tha se vendimi për ta pastruar këtë zonë nuk lidhet me interesin që ai ka për ta ndërtuar fabrikë, por thjesht pastrimin e ambientit.
(KosovaPress)