Invalidët e luftës të UÇK-së do t’i nënshtrohen sërish kontrollit mjekësor

Asnjë nga invalidët e mëhershëm të UÇK-së nuk do të gëzojë të drejtën e pensionit pa u verifikuar. Ata do t’i nënshtrohen kontrollimit tëe sërishëm mjekësor dhe vetëm pasi të dëshmojnë me fakte shkallën e invaliditetit, do të mund ta gëzojnë pensionin e paraparë me ligj.

Lajme

02/03/2015 20:51

Qeveria e Kosovës së shpejti pritet të nxjerrë edhe një udhëzim administrativ, i cili do ta përcaktojë se kujt do të mund t’i takojë pensioni, pasi jo të gjithë të plagosurit mund ta gëzojnë atë, raporton KTV.

Por çfarë do të ndodhë me veteranët invalidë që shfrytëzuan pensionet pa pasur fare të përcaktuar shkallë të invaliditetit?

Nesër priten të publikohen edhe lista të reja të veteranëve, por nuk dihet se cila zonë do të shpalosë para publikut emrat e veteranëve. Të gjitha zonat tashmë i kanë dorëzuar listat, por i mbetet sekretariatit t’i publikojë ato.

Dukagjini do të dalë një nga zonat më të mëdha të luftës. Nga listat paraprake të kësaj zone, thuhet se rreth 4 mijë persona, nga 20 mijë sa aplikuan, fituan statusin e veteranit të luftës.

Për tri zona, listat e të cilëve u publikuan, në Komision u dorëzuan 1,300 ankesa, transmeton Koha.net.

Që më 10 janar, kur u publikuan listat e para të zonës së Llapit e të Karadakut, reagimet ishin të shumta dhe ato inkriminonin komandantët e zonave dhe gjithë zinxhirin komandues për fryrje të listave të veteranëve.