Intervistohen ish zyrtarë të lartë të policisë serbe, të dyshuar për rastin e Ambasadës së SHBA-ve

Zyrtarisht janë identifikuar 6 persona të dyshuar se i kanë vënë flakën ndërtesës së Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, gjatë mitingut “Kosova është Serbi”, të organizuar më 21 shkurt të vitit 2008, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Lajme

05/03/2015 13:12

Prokuroria Themelore e Beogradit është duke vazhduar hetimet për këta gjashtë persona, për të cilët thuhet se janë ish zyrtarë të lartë të Policisë së Serbisë. Ndërsa shumë shpejtë do të nisë procesi i dëgjimit të dëshmitarëve.

Kjo prokurori ka bërë të ditur për “Tanjug” se është duke përgatitur një padi e cila akuzon të dyshuarit për vepër penale, krim të rëndë kundër sigurisë publike dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

“Deri më tani janë intervistuar katër persona në cilësinë e dyshuarve. Në ditët në vazhdim, prokurori planifikon të intervistojë edhe dy të dyshuar tjerë, para se të fillojë intervistimin e dëshmitarëve”, thotë kjo prokurori, transmeton lajmi.net.

Ndërkohë, sipas mediave në Beograd, të akuzuarit për këtë rast janë gjenerali në pension Stevan Bjeliq, i cili në atë kohë ushtronte detyrën e drejtorit të Policisë së Beogradit, Borivoj Teshiq, komandat i njësitit të Xhandarmërisë, Mladen Kuribak, Shef i Policisë së Serbisë, shefi i dikurshëm i Policisë së Beogradit Slobodan Vukoliq si dhe oficerë në krye të komandës së Xhandarmërisë Bojan Markoviq dhe Zoran Rashkoviq.  (lajmi.net)