INTERVISTË/ Në mes të krizës me COVID-19, Malisheva po përballet edhe me rastet e para të pickimit të rriqërave

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj në një intervistë për lajmi.net ka folur lidhur me krizën që po kalon qyteti i Malishevës me koronavirusin si qyteti më i prekur në Kosovë nga ky virus - derisa ka bërë të ditur se edhe pickimet e rriqërave kanë filluar në qytetin e Malishevës.

Lajme

08/04/2020 20:57

Begaj për lajmi.net ka thënë se shkaku që Malisheva ka më së shumti qytetar në Itali e që është vendi më i prekur në Evropë nga koronavirusi, mund të jetë shkaku që ky qytet ka arritur në këtë shkallë të prekjes, shkruan lajmi.net.

Ai disa herë është ankuar se qyteti i Malishevës nuk është ndihmuar nga qeveria dhe institucionet qendrore, e i pyetur për këtë ka thënë se nuk i di arsyet.

“Nuk i di arsyet, mund edhe të mos kenë pasur mundësi, por besoj se në mbledhjet e radhës do ta kenë Malishevën në tretman të veçantë. Kryeministri më ka telefonuar dy ditë pa u shkarkuar dhe ka shprehur mirënjohje, por jo ndihmë konkrete. Kemi pasur vërejtje edhe ndaj ministrit të Shëndetësisë dhe kemi kontaktuar por ai e ka pranuar se në pamundësi ka ndodhur kjo.”, tha Begaj.

Begaj ka thënë se nuk beson që mungesa e ndihmës në Malishevë po ndodh për arsye politike.

“Njerëzit kanë drejtë të dyshojnë por virusi nuk pyet se çfarë partie je, por kur dihet situata e kësaj komune, ata mund ta përmirësojnë gjendjen nëse reflektojnë për të mirë”, tha Begaj.

Ai më tutje ka shtuar se Malisheva nuk ka ekonomi të zhvilluar dhe po funksionojnë me 150 mijë euro të ndara nga komuna për të trajtuar situatën e krijuar.

Begaj ka treguar se janë ndaluar pothuajse të gjitha bizneset, por ka mohuar të jenë ndaluar të punojnë barnatoret, derisa ka thënë se përveç 64 rasteve pozitive, 7 janë të sheruar dhe ka thënë se pritet që edhe 15 të tjerë të rezultojnë të shëruar së shpejti.

Begaj ka bërë të ditur se në Malishevë ka filluar edhe pickimi i rriqërave.

“Tani edhe kjo dukuri neve na rëndon dhe neve na duhet nidhma dhe përkujdesi shtesë, nuk është dëshirë e vullnet i joni t’i kemi të gjitha këto sfida, por për atë duhet të ketë interesim të veçantë për Malishevën, pickimet veç kanë filluar në Malishevë”, tha Begaj. /Lajmi.net/ 

VIDEO: