Intervistë me Riza Halimin: Kuvendi të vlerësojë interesat shtetërorë për bashkim të Luginës me Kosovën

Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik në Preshevë, Riza Halimi në një intervistë dhënë për lajmi.net ka folur për temën aktuale të ditëve të sotme, atë të korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën si dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Luginës në dialogun e Brukselit.

Lajme

29/08/2018 16:56

Halimi në këtë intervistë ka thënë se kërkesa e shqiptarëve në Luginë për të drejta të barabarta me serbët e Kosovës është një kërkesë e kahmotshme, duke filluar nga periudha e hershme e pasluftës, shkruan lajmi.net.

Si të tillë, ai ka thënë se pjesëmarrja e Luginës në këtë dialog është çështje jetike për shqiptarët që jetojnë në atë pjesë.

Ai ka folur edhe për bashkimin e Luginës me Kosovën, për të cilën ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të shohë interesat dhe bazën e kësaj marrëveshje.

Intervista e plotë:

Lajmi.net: Sa është e rëndësishme që përfaqësues të Luginës të jenë pjesë e dialogut në Bruksel, dhe a ka gjasa që një gjë e tillë të ndodhë në fazën finale të bisedimeve?

Riza Halimi: Është një kërkesë e kahmotshme, kur kanë filluar bisedimet kërkesat kanë qenë nga institucionet politike por edhe nga strukturat ku shqiptarët janë prezent. Këto kërkesa qysh atëherë janë shtruar, mirëpo deri tash thjeshtë nuk janë përcjell. Mandej është kërkesa e 2006-tës, po flasim për platformën politike të shqiptarëve të Luginës, dhe Kuvendin e Këshilltarëve shqiptar, aty është kërkuar reciprociteti, të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe posaqërisht në Luginë të Preshevës, konform të drejtave të serbëvë në Kosovë, e posaqërisht në veri të vendit.

Lajmi.net: Sa është realizuar një kërkesë e tillë?

Riza Halimi: Ai është një dokument me vlerë politike, meqenëse kanë marrë pjesë vetëm këshilltarët shqiptarë të Kuvendeve Komunale, por kryesore këto kërkesa janë për çështje të përfaqësimit të dy palëve por edhe në aspekt të reciprocitetit. Mua më duket shumë e qartë që nëse ka qenë ideja pas rezolutës së OKB-së që u aprovua pas Gjykatës Ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe filluan bisedat për normalizim të raporteve, kjo do të thotë deri më tani është diskutu kryesisht për problemet e serbëve në Kosovë. Me përjashtim të çështjeve të diplomave që kjo temë është trajtuar në Bruksel por nuk është zgjidhur, pra njohja reciproke e diplomave, problem ky që i godet në rradhë të parë shqiptarët e Luginës sepse këtu në asnjë institucin nuk mund të punosh diplomën e nostrifikuar. Diplomat e Universitet e Kosovës fare nuk pranohen, tek më 2001-2002 në marrëveshjen e Konqulit një deklaratë nga përfaqësuesit e UÇPMB-së dhe e vërtetuar nga përfaqësesit, por këto janë realizuar vetëm pjesërisht, dhe diku vetëm pas 10 viteve ai problem u zgjidh. Por pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ai problem u përsërit. E kemi edhe 10 vjetëshin e dytë që prap ky problem është aktual. I kemi shumicën këtu që kanë prirje, kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës. Faktikisht e vetmja kjo çështje është duke u diskutuar në Bruksel.

Lajmi.net: Në çfarë forme mendoni se duhet të adresohet një kërkesë e tillë?

Riza Halimi:Në Bruksel asnjë problem tjetër nuk po diskutohet, dhe po dalin po proklamohen se po i normalizojnë marrëdhëniet Serbi-Kosovë, e në anën tjetër duke i injoruar problemet e rënda që i kanë shqiptarët në Luginë. Ky ka qenë një problem shumë serioz, dhe thjesht kërkesa që ne të kemi përfaqësues është çështje kruciale, dhe do të ishte deshur që në këtë drejtim të shtrohet kjo çështje. Që nëse vec po bisedohet, nëse ka shansa të pranohet ndërkombëtarisht që Kuvendi ta miratojë një rezolutë që siç po interesohen udhëheqësit serbë për serbët e Kosovës, të njëjtin dimension të njëjtat kompetenca t’i kenë edhe udhëheqësit e Kosovës kur është në pyetje të drejtat e shqiptarëve, kjo do të ishte kruciale. Deri tash situata është katastrofale, deri më tani i kemi dy kritere për serbët e Kosovës dhe për shqiptarët e Luginës, ngase të drejtat e serbëve në Kosovë as nuk mund të krahasohen me shqiptarët e luginës, është degradim edhe i vlerave evropiane kur lejohen këto dy standarde, ngase janë dy realitete diametralisht të kundërta. Të drejtat e serbëve në Kosovë i tejkalojnë të gjitha përmasat evropiane.

Lajmi.net: Cili është qëndrimi juaj në lidhje me diskutimet e fundit për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën?

Riza Halimi: Referundimi i vitit 92, kërkesa e shqiptarëve për autonomi territoriale në kuadër të Serbisë, në pjesën e saj të dytë është bashkimi me Kosovën. Deklaratat politike që janë dhënë atëherë prej dy palëve dhe prej kuvendit që ka shpallë referndumin, në ato dy deklarata është shumë e qartë, se kjo e dya për përcaktim dhe për vetëvendosje parasheh vetëm atëherë kur në kuadër të integrimeve evropiane do të vije mundësia që të ndryshojnë kufijtë e pjesëve konstituive të ish-Jugosllavisë. Deri më tash askund nuk janë ndërru, në asnjë rast nuk janë ndërruar. E tash çështja është se a ka interes dhe a është reale. Kuvendi i Kosovës duhet ta analizojë mirë këtë çështje, se është më kompetent. Dhe do të ishte dashur që kjo të diskutohet në mënyrë serioze, a e ka luksin dhe a e ka mundësinë që të hapet një çështje e cila ka qenë tabu deri më tani. I dimë ato qëndrimet e grupit të kontaktit, menjherë pas asaj ne e kemi platformës që kërkuam reciprocitetin. Ne kemi menduar që të ishte në interes që të arrihet një status i shqiptarëve në Serbi, ngjashëm me atë të kritereve të serbëve në Kosovë. Për mua është ende e paqartë, ngase deri tash në Kuvend nuk është diskutuar. Janë këto bisedimet në Bruksel mirëpo esenca e këtyre kurr nuk jipet dhe tash është e paqartë. Të gjithë përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Kosovë, kur u thuhet nga kryetari i shtetit se është e mundur bashkëngjitja e Luginës në Kosovë, normal që kjo i intrigon dhe asnjë udhëheqës politik nuk e refuzon një ofertë të tillë. Mirëpo natyrisht, duhet të shikohet se sa një ofertë e tillë është e bazuar, dhe sa është reale, sepse janë ende jo transparente detajet e rëndësishme. Kuvendi i Kosovës duhet të diskutojë dhe të shoh interesat shtetërore për një çështje të tillë. /E.D/Lajmi.net/