INTERVISTË: FC Prishtina me drejtor të ri, paralajmërohen ndryshime te skuadra kampione

Artan Osmani është drejtori i ri gjeneral i klubit FC Prishtina, që ka nënshkruar kontratën me 1 qershor 2021.

Sport

14/06/2021 20:08

FC Prishtina pritet të këtë ndryshime të mëdha gjatë viteve të ardhshme, ku objektivi kryesor do jetë krijimi i akademisë në mënyrë që klubi të këtë më shumë lojtarë vendorë, si dhe krijimi i stabilitetit financiar i qëndrueshëm.

Kështu është shprehur Osmani në një intervistë për lajmi.net. Fillimisht, ai tha se për të është puna e parë në menaxhim të klubit sportiv, derisa pas ofertës së klubit e ka pranuar punën.

“Unë jam Artan Osmani, 46-vjeçar, është puna ime e parë në menaxhim të klubit sportiv, kam punu 22 vite në menaxhim të projekteve të ndryshme, resurseve natyrore dhe ambientit. Jam dashamirës i sportit, e kam përcjellë sportin. Me kërkesë dhe ofertë nga klubi kam pranuar punën nga data 1 qershor dhe do përpiqemi të bëjmë më të mirën në këtë periudhë”, tha ai.

FC Prishtina do punojë ndryshe këtë vit dhe këtë e ka konfirmuar Osmani, duke bërë të ditur se dy objektivat kryesore janë krijimi i akademisë së klubit dhe i stabilitetit financiar të qëndrueshëm.

“Janë dy objektiva primare: Një është zhvillimi i akademisë së klubit dhe e dyta krijimi i stabilitetit financiar qëndrueshëm, i cili do funksionojë për shumë vite, pavarësisht rrethanave që krijohen, siç është kjo e tashmja”.

I pyetur se pse pranoi të bëhet drejtor gjeneral, Osmani u shpreh se shkaku i dashurisë së klubit nuk mendoj ta refuzojë ofertën.

“Unë jam tifoz i Prishtinës, kam qenë tifoz për shumë vite, e njoh klubin shumë mirë dhe dua të jap kontributin tim sa të mundem në zhvillim të klubit”.

Tutje, Osmani bëri të ditur edhe ndryshimet që ndodhin në klub, si në skuadër, ashtu edhe nga ana e menaxhimit.

“Do këtë ndryshime në klub edhe në menaxhim, do këtë prurje të reja, përforcime, përgjegjësish kemi një staf shumë të përkushtuar dhe profesionalë i cili do mbushet me njerëz, pastaj kemi edhe obligime shtesë, garat kualifikuese etj. Prishtina me sivjet del në një nivel tjetër, pritjet janë gjithmonë që të shpallemi kampion dhe ne duam të bëjmë më të mirën jo vetëm nga aspekti sportiv, por edhe nga administrativ që të gjithë të jenë të qetë dhe të fokusohen vetëm nga ana sportive”.

Ai konfirmoi se plani për zhvillimin e akademisë është gati dhe që negociatat me partnerët lokal dhe ndërkombëtarë tashmë kanë nisur.

“Përgjegjësit arritjet e mia janë të lidhura me klubin, ne kemi një plan të përgatitur për zhvillimin e akademisë, një plan investues, kemi filluar bisedat me disa partnerë lokal dhe ndërkombëtare për bisedimet në zhvillim të akademisë dhe tjetra është të krijojmë në model të financimit që ta bëjë klubin të jetë i qëndrueshëm vetë, pa ndihmën e aksionarëve, që po vazhdojnë që 15 vite”

Në vazhdimësi drejtori i ri njoftoi se në të ardhmen ne mund ta shohim Prishtinën vetëm me lojtarë vendorë nga akademia.

“Ideja e fundit është që Prishtina të këtë të gjithë ekipin e akademisë, kjo është ideja në të cilën do funksionojmë dhe do punojmë. Pastaj do shohim sa kohë do na duhet, të shohim fondin e lojtarëve, shpresoj që të bëhen kampe edhe në qendra tjera, por objektivi është që të kemi resurse vendore dhe të jemi kompetitivë në gara”.

Në fund, Osmani bëri të ditur se Prishtina nga ana financiare është në gjendje stabile, por jo shumë të mirë, andaj iu ka bërë thirrje sponsorëve të rinj dhe atyre ekzistues ta mbështesin klubin.

“Sa i përket aspektit financiar jemi në pozitë stabile, por jo të mirë. Jo të mirë në kuptimin që është investu për shumë vite, veçanërisht vitin e kaluar që ka pasur mungesë të tifozëve, rrjedhimisht si të këtë mungesë të tifozëve ka edhe mungesë të sponsorëve. Këtë vit jemi në një fazë më të favorshme, ku pritet që një numër i tifozëve të rikthehen dhe shpresoj që të kemi edhe mbështetjen e sponsorëve të rinj dhe atyre ekzistues në mënyrë që me vërtetë të jemi klub që ta përfaqësojmë Kosovën. Aspekti tjetër do jetë çështja me publikun dhe marketingun, ne do sigurohemi që të jenë tifozët në stadium dhe jo vetëm Ultra që janë pranë nesh, por të investojmë që t’i kemi edhe gjeneratat e reja që të fillojnë ta shohin klubin si klub i tyre”, deklaroi ai për lajmi.net.

Ndërkohë, Prishtina pas pak ditëve do zhvillojë ndeshjen e parë në paraelimintaore të Ligës së Kampionëve, ndaj kampionit të San Marinos./E.Bytyqi/Lajmi.net/