Intensifikohet propaganda serbe para marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Propaganda serbe kundër Kosovës dhe miqve të saj amerikanë ka filluar të intensifikohet kohëve të fundit.

Lajme

22/08/2019 17:49

Tashmë, edhe Serbia, pas Rusisë, haptazi ka filluar një propagandë të zezë kundër figurave të larta amerikane, të cilët ndihmuan në çlirimin e Kosovës nga terrori dhe gjenocidi i Serbisë.

Kësaj fushate të errët, këtë herë po i prin ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ky zyrtar i lartë serb kohëve të fundit ka angazhuar disa medie në Serbi për të njollosur dhe denigruar figurat e larta amerikane, ndër ta edhe ish-presidentin, Bill Clinton me shpifje prej më të ulëtave.

Portali ‘Kurir’ që është nën kontroll të plotë ose vegël e Daçiqit, ka tentuar ta njollosë presidentin Clinton si të përfshirë para shumë vitesh në një aferë të shpikur nga propaganda serbe, se gjoja presidenti Klinton ka qenë i përfshirë në një aferë seksuale me vajza të mitura në ishujt Karaibe.

Propaganda dhe gënjeshtra serbe nuk njeh kufij dhe shkon përtej kufijve të të pakonceptueshmes vetëm për ta arritur qëllimin.

Dhe e tërë kjo situatë ndodh në kohën kur ka ardhur fundi i dialogut ose betejës shekullore Kosovë-Serbi dhe ku SHBA e kanë rolin kryesor në arritjen e një marrëveshjeje afatgjate të paqes mes dy vendeve që do të rezultojë me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve dhe ulëse në OKB për Republikën e Kosovës.

Serbia e ka kuptuar se nuk ka rrugë tjetër, prandaj edhe e ka egërsuar fushatën anti-përkrahësve amerikanë të shtetit të Kosovës, në mënyrë që të mund të përfitojnë diçka më shumë në këtë proces.

Madje Daçiq ka filluar edhe një fushatë tjetër mjaft të rrezikshme, duke tentuar të ndërhyjë edhe në çështjet e brendshme të SHBA për çka edhe është paralajmëruar nga zyrtarët amerikanë.

Ai ka ftuar serbo-amerikanët që ta votojnë Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale në vitin e ardhshëm pasi që sipas tij administrata e Trumpit, ia ka kthyer shpinën Kosovës për shkak të padëgjueshmërisë së Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe rritjes së korrupsionit dhe ky do të jetë një rast i mirë që Serbia ta kthejë si aleat të saj SHBA.

“Konkretisht, si ministër i Jashtëm, do të bëj një organizim që të formalizojmë mbështetjen për Trumpin në zgjedhjet e ardhshme. Serbët në Amerikë edhe ashtu votojnë për Trumpin. Nëse këtë e bëjmë mençur, nëse i unifikojmë ato vota, që nuk janë pak, do të krijojmë një pozicion më të mirë në administratën e re”, ka thënë Daçiqi për mediat serbe.

Kjo thirrje e Daçiqit është konsideruar ndërhyrje në punë e brendshme të SHBA-së nga Michael Carpenter, një ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes përgjegjës për Rusinë, Euroazinë dhe Ballkanin.

Ai ka thënë se ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, planifikon të ndërhyjë në politikën e brendshme amerikane duke ftuar serbët në Amerikë të votojnë për Donald Trumpin në zgjedhjet e 2020-ës.

Carpenter, drejtor i “Penn Biden Centre”, që po ashtu ka shërbyer si këshilltar politik për zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, i ka thënë Zërit të Amerikës se ai beson që “Daçiqi po bën një gabim të madh” me këtë thirrje dhe se “mbështetja ndaj rrugës evropiane të Serbisë është një çështje mbi të cilën dy partitë në SHBA duhet të pajtohen”, ka shkruar Carpenter në profilin e tij në Twitter.

Ndërsa, analisti dhe publicisti amerikan, Janusz Bugajski, ka thënë për RTK-në se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket Kosovës por kjo është propagandë dhe tendencë e shtetit serb, më konretisht e ministrit, Ivica Daçiq që gatishmërinë amerikane për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi ta paraqesë si lëkundje në qëndrimet e SHBA-ve.

“Ajo që shohim tash është se loja po luhet në Beograd nga ministri i Jashtëm Daçiq. Ai po tenton të krijojë dredhi në tërë këtë proces që të duket se SHBA po mbështet Serbinë dhe jo më statusin e Kosovën. Kjo duhet të merret si propagandë dhe jo realitet”, ka thënë Bugajski.

Serbia është e njohur së paku në vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë për mjeshtëri në propagandë dhe gënjeshtër, prandaj institucionet e Kosovës duhet të merren më seriozisht me këtë aspekt dhe të jenë më të kujdesshme në veprimet e mëtutjeshme pasi që kjo është duke e dëmtuar seriozisht pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, që mund të ketë pasoja në shtetbërje dhe në proceset e ardhshme të integrimit të Republikës sonë në institucione ndërkombëtare.