Integrimi i ilegalëve në Veri gjatë dhjetorit

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, pret që shuarja e strukturave ilegale dhe integrimi i tyre të ndodhë brenda këtij muaji. Ndërsa zyrtari i Serbisë, Aleksandar Vulin thotë se pjesëtarët e MUP’it do të pranojnë integrimin.

Lajme

10/12/2013 16:33

Koordinatorja e palës kosovare në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se Beogradi ka zvarritur zhbërjen e strukturave ilegale serbe të sigurisë dhe drejtësisë në veri të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë për Evropa e Lirë se shqetësimet për zvarritje ka adresuar edhe te Baronesha, Catherine Ashton si ndërmjetësuese në dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes, nga fundi i muajit maj, përparimet kanë qenë të kufizuara”.

Sipas saj, Bashkimi Europian ishte i interesuar që zgjedhjet të kenë sukses dhe të përfundojnë me shuarjen e komunave ilegale dhe formimin e atyre legale.

“Megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve në veri, kishte nxjerr në pah ekzistencën e formacionit të quajtur ‘mbrojtja civile’ i cili i  ngjan një formacioni paramilitar”.

“Çështjen e formacionit “mbrojtja civile”, si shqetësime i kemi ngrit në Bruksel edhe në nivelin politik. Ndërkaq unë si kryenegociatore, personalisht e kam ngritur si shqetësim te Fernando Gentilini, ku e kam shprehur jo vetëm pakënaqësinë por edhe kam theksuar urgjencën e shuarjes së plotët ë kësaj strukture e cila në fakt është një lloj strukture paramilitare që ka vepruar në të kaluarën në veri dhe ende nuk është zhbërë”i.

Tahiri thotë se Prishtina ka dhënë shenja të qarta se është e interesuar t’i integrojë pjesëtarët serbë nga strukturat ilegale, me miratimin e ligjit të amnistisë.

Sipas kërkesave të palës kosovare, mbi 200 pjesëtarë të policisë serbe që kanë vepruar nën direktivat e Policisë së Serbisë tani mund të integrohen në Policinë e Kosovës.

“Ata (Beogradi) janë vonuar në vazhdimësi në dorëzimin e listave përfundimtare. Fillimisht nuk e kanë dorëzuar fare listën e më pas janë vonuar. Presim që Bashkimi Evropian të merr rolin e vet në këtë çështje dhe ta dimë saktë numrin e atyre pjesëtarëve që janë të interesuar të integrohen në Policinë e Kosovës. Ne kemi paraqitur planin tonë integrues dhe kemi diku nga 200 deri në 250 vende të hapura për integrimin e pjesëtarëve serb”.

Në anën tjetër, Ministri pa Portofol për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka biseduar të martën në Leposaviq me udhëheqësit e strukturave serbe të sigurisë dhe më pas ka deklaruar se ata pranojnë të integrohen në Policinë e Kosovës.

“Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë do të pranojnë integrimin sepse ata e respektojnë shtetin dhe qeverinë e tyre dhe ata në të ardhmen e afërt do të marrin përsipër sigurinë dhe kujdesin për serbët e Kosovës”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, edhe në strukturat e gjyqësisë në veri, serbët do të kenë përfaqësimin sipas strukturës së popullsisë.

E gjithë marrëveshja e arritur në bisedimet Kosovë – Serbi, sipas tij është neutrale në raport me statusin e Kosovës. Përderisa veriu i Kosovës edhe kësaj radhe është trajtuar ndryshe nga zyrtari i qeverisë serbe.

“Në veri të Kosovës, serbët do të vendosin për serbët, serbët do të zbatojnë ligjin dhe serbët do të jenë ata që do të kujdesen që askush të mos i prek serbët”.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq, pret që shuarja e strukturave ilegale dhe integrimi i tyre të ndodhë brenda këtij muaji.

Një ditë më herët Qeveria e Serbisë mori vendim për ndërprerjen e pagave për pjesëtarët e MUP’it në Kosovë që nga 31 Dhjetori i këtij viti.