Institucionet maqedonase heshtin për listën e të arrestuarve kosovarë

Për Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj u raportua se kanë humbur jetën gjatë aksionit të MPB-së më datën 9 dhe 10 maj. Por pas tre ditësh emrat e tyre u hasën në listën e të arrestuarve, lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Lajme

07/06/2015 16:55

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë nuk dëshiron të komentojë zyrtarisht shkresën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dërguar Ambasadës së Kosovës më 12 maj, për të arrestuarit kosovarë, ndër të cilët figuronin edhe emrat Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj.

Të dy këta, vetëm një ditë më vonë policia konfirmoi se kanë humbur jetën gjatë luftimeve në Kumanovë.

Alsat M nuk ka arritur të marrë përgjigje direkte, nëse këta dy persona kanë humbur jetën gjatë aksionit të MPB-së më datën 9 dhe 10 maj dhe nëse është ashtu, atëherë pse pas tre ditëve emrat e tyre u hasën në listën e të arrestuarve?

“Menjëherë pas ekspertizës së përfunduar, autoriteteve të Kosovës u ishin dërguar të dhënat e domosdoshme për identifikimin e trupave. Opinioni u informua kur përfundoi identifikimi”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Kurse sic shkruan Alsat M, për të marrë përgjigje më të kompletuar MPB-ja i ka dresuar në Prokurorinë Publike.

Ata bënë të ditur se urdhrat për autopsi dhe përcaktim të identitetit zyrtarisht i udhëheq ky institucion dhe se nuk duan t’u përzihen në punë.

Alsat M iu ka drejtuar Prokurorisë Publike me pyetje, por nuk kanë marrë përgjigje

Tashmë disa ditë presim sqarim plotësues edhe nga MPJ-ja lidhur me atë se si është e mundur që personat, për të cilët MPB-ja pohon se kanë humbur jetën në Kumanovë më 9 ose 10 maj, të hasen në listën e të arrestuarve tre ditë më vonë. Ata deri tani vetëm e konfirmuan vlefshmërinë e shkresës dhe thanë se bëhet fjalë për listë preliminare që është marrë për përdorim të mëtejshëm.