Institucionet e pavarura të Kosovës pak japin llogari
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP) ka prezantuar analizën e politikave të titulluar “Sa llogaridhënëse janë institucionet e pavarura në Kosovë”, të cilat i raportojnë Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Lajme
Në bazë të kësaj analize del se institucioneve të pavarura u mungon llogaridhënia dhe transparenca.
Albana Rexha, nga GLSP-ja, tha se nga 9 institucionet e përzgjedhura në këtë analizë del se vetëm njëri nga to e ka indeksin më të lartë të llogaridhënies që është Autoriteti Rregullator për Shërbimet e ujit ndërsa më të ulëtin e kanë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Komisioni për Miniera dhe Minerale.
Ajo tha se përveç dy rregullatorëve, të gjithë janë të mangët me konsultimet e publikut ndërsa njëri nga ta që është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që fare nuk i bënë publike raportet në ueb faqe.
Ajo gjithashtu prezantoi problemet kryesore me llogaridhënien në këto institucione.
“Problemet kryesore me llogaridhënien kanë të bëjnë me mungesën e mundësisë së sanksionimit nga ana e komisioneve parlamentare, gjatë raportimit të këtyre institucioneve në kuvend. Gjithashtu institucionet e pavarura nuk bëjnë raporte të performanës së tregut e që është detyrë e tyre. Shumica e këtyre rregullatorëve nuk kanë kod të mirësjelljes përmes të cilit do të vetë rregulloheshin dhe mungesë të direktivave etike të vendim-marrjes”, tha Rexha.
Analiza është bazuar në njëzet indikatorë të cilët analizojnë dhe masin në mënyrë të kuantifikuar llogaridhënien e institucioneve të pavarura rregullator duke përfshi Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, Autoritetin Rregullatorë për Shërbimet e Ujit, Zyra e Rregullatorit për Energji, Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe të ngjashme.
Analiza ofron një listë rekomandimesh konkrete për rregullatorët dhe parlamentin në mënyrë që të rritet llogaridhënia e këtyre institucioneve të pavarura.