Inspektorati vjet hetoi 328 zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar 328 punonjës të Policisë së Kosovës, për shkelje të ndryshme, gjatë detyrës. 

Lajme

21/04/2014 19:10

Në raportin vjetor të IPK-së, që do të paraqitet të martën para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, thuhet se nga shqyrtimi i ankesave që kanë pasur, hetimi ka rezultuar me 16 të arrestuar nga IPK-ja, 46 rekomandime për Drejtorin e PK-së për suspendim, si dhe dy rekomandime për transferim.

Në raportin që e ka KosovaPress, thuhet se gjatë periudhës së raportimit Policia e Kosovës ka pasur 8,458 punonjës, ndërsa në total 328 punonjës kanë qenë subjekt i hetimit të inspektoratit.

“Të paraqitur në formë përqindje kjo i bie që 4 për qind i tërë punonjësve të PK-së ishin nën hetim. Në vitin 2013 janë 33 punonjës të PK-së më pak të hetuar sesa në vitin 2012”, thuhet në raport.

Ndërsa, masat dhe rekomandimet e dhëna nga IPK-ja gjatë vitit 2013 që kanë ardhur si kërkesa dhe nevoja gjatë zhvillimit të hetimeve kanë dalë këto të dhëna.

“16 arrestime nga ana e IPK-së, 46 rekomandime për suspendime nga kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, si dhe 2 rekomandime për transferim nga ana e kryeshefit ekzekutiv të Inspektoratit Policor drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së”, thuhet me tej në raport.

Në periudhën janar-dhjetor 2013, përmes 1,064 ankuesve, IPK-ja ka pranuar gjithsej 1,050 ankesa lidhur me supozimet për shkelje disiplinore/penale të zyrtarëve policorë.

Sipas raportit, këto ankesa kanë shkuar nga qytetarët e të gjitha komuniteteve etnike dhe gjinore në forma të ndryshme, ashtu siç parashihet me mekanizmat e ankimimit të mbështetura me akte ligjore dhe nënligjore. Kurse, nga 1,064 ankues konsolidohen në 1,050 ankesa që IPK-ja i ka trajtuar.

Pesë rastet më të shpeshta që IPK-ja i ka hetuar gjatë vitit 2013 ishin 43 raste rrezikim i trafikut publik, 38 raste lëndim i lehtë trupor, 35 raste keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, 30 raste keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe 20 raste kanosje.

IPK-ja gjatë vitit 2013 kishte hetuar edhe një numër të zyrtarëve policorë që ishin të graduar.

“Gjatë vitit 2013, IPK-ja ka hetuar 39 zyrtarë të graduar, prej tyre 1 kolonel , 2 nënkolonelë, 3 kapitenë, 11 toger, 22 rreshterë, 273 zyrtarë policorë, si dhe 16 punonjës nga stafi civil”, thuhet në raport.

Sipas statistikave të IPK-së, ankuesit janë nga këto etnitete, 1,012 shqiptarë, 38 serbë, 11 boshnjakë dhe 1 turk, 1 RAE dhe 1 goran.